Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Türkiyes është zotuar se organizata terroriste PKK/YPG nuk do të lejohet ta shfrytëzojë situatën aktuale në Siri dhe se të gjitha grupet terroriste në rajon do të eliminohen.
Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës Turke tha se është përsëritur se “në asnjë mënyrë PKK/KCK-PYD/YPG-ja nuk do të lejohet ta shfrytëzojë situatën aktuale dhe zhvillimet e mundshme në Siri”.
“Është theksuar se të gjitha organizatat terroriste, të cilat janë armiq të popujve miq dhe vëllezër në rajonin tonë, do të eliminohen në çdo rrethanë”, tha këshilli.
Veprimet e vazhdueshme agresive të Izraelit në territorin sirian, theksoi këshilli, rrezikojnë stabilitetin rajonal dhe shkelin ligjin ndërkombëtar.
“Është riafirmuar se do t'i jepet mbështetje e plotë administratës së re në Siri për ta garantuar sovranitetin e shtetit, strukturën unike, integritetin territorial dhe unitetin politik, si dhe për t'i garantuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjitha grupeve etnike, fetare dhe sektare në vend, për ta rindërtuar Sirinë dhe për ta rivendosur paqen dhe prosperitetin për popullin sirian”, theksoi Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Këshilli gjithashtu kërkoi që armëpushimi në Gaza të jetë i përhershëm dhe të shërbejë si pikënisje për një zgjidhje të drejtë të çështjes palestineze, si dhe theksoi rëndësinë e dërgimit të ndihmës humanitare për popullin e Gazës në mënyrë të pandërprerë dhe në kohë.
“Türkiye do t'i vazhdojë përpjekjet e saj për ta promovuar paqen dhe stabilitetin global duke u fokusuar në zgjidhjen e konflikteve, veçanërisht në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Ballkan, në parandalimin e përshkallëzimit në dhunë, si dhe dhe duke punuar për të zgjidhur në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet e vazhdueshme”, theksoi këshilli.