Türkiye me formulë garantuese për marrëveshje izraelito-palestineze. / Foto: AA

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, ka paraqitur propozim për një sistem garantues në konfliktin izraelito-palestinez, duke theksuar rolin qendror të Ankarasë në formësimin e idesë.

Duke iu drejtuar gazetarëve në një konferencë ekskluzive për media në Ministrinë e Jashtme në Ankara, Fidan theksoi nevojën që shumë vende, përfshirë Türkiyen, të veprojnë si garantues pasi të dyja palët të arrijnë një marrëveshje, me përgjegjësinë për të siguruar zbatimin e saj.

Fidan theksoi gjithashtu rëndësinë e presionit ndërkombëtar mbi Izraelin për të miratuar zgjidhjen me dy shtete, duke thënë se Türkiye ndau pikëpamjet e saj për këtë çështje me palët.

Diskutimet e zhvilluara midis ministrit të Jashtëm turk dhe ShBA-së zbuluan se administrata e Bidenit mbështet zgjidhjen me dy shtete. Fidan vuri në dukje nevojën që komuniteti ndërkombëtar të marrë rol më aktiv në adresimin e çështjes izraelito-palestineze.

Ai tha se dislokimi i forcave paqeruajtëse nga Türkiye në rajon nuk ishte në rend dite, por potencoi rëndësinë e nisjes së hapave drejt zgjidhjes me dy shtete për të arritur paqen e qëndrueshme.

Është e nevojshme që vendet e rajonit të marrin përgjegjësi dhe të miratojnë një qëndrim të unifikuar kur kanë të bëjnë me ndonjë palë që shkel marrëveshjen, tha ai.

Duke theksuar rëndësinë e transformimit të situatës aktuale në një mundësi për paqen, Fidan tha se prania e vendeve garantuese do të ishte thelbësore në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez.

TRT Balkan / agjencitë