Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan ka pranuar një donacion në pajisje nga Türkiye në vlerë prej 20 mijë eurosh.
Siç njofton Komuna e Gjilanit, në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve mori pjesë kryetari i Komunës Alban Hyseni, ambasadori turk në Prishtinë Sabri Tunç Angili, komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë kolonel Recai Yilmaz, koordinatori i Agjencisë Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA) Cihan Dinçer, si dhe përfaqësues të tjerë nga Türkiye dhe komuna e Gjilanit.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në fjalën e tij në ceremoni tha se ky projekt është vazhdimi i bashkëpunimit të mirëfilltë mes Kosovës dhe Türkiyes, por edhe i ndihmës që i ka dhënë Kosovës deri tani populli turk dhe qeveria turke.
Hyseni theksoi se nga Türkiye pret përkrahje edhe në të ardhmen.
“Ne do të vazhdojmë të jemi falënderues për kontributin e dhënë nga Türkiye në Kosovë, ndërkohë që mund të them se në takimin e sotëm me ambasadorin kishim edhe një diskutim që shkon përtej ndihmës së njëanshme kundrejt Kosovës”, tha Hyseni.
Njëherësh, Hyseni falënderoi ambasadorin për vizitën në Gjilan dhe bisedën e mirë e konstruktive që patën së bashku, duke uruar që shumë shpejt ato që janë diskutuar në takim të fillojnë të jetësohen dhe të bëhen realitet.
Përndryshe, siç thanë përfaqësuesit nga ambasada dhe KFOR-i Turk në Kosovë, Türkiye e ka ndihmuar Kosovën deri tani në kulturë, arsim, infrastrukturë dhe fusha të tjera nëpërmjet projekteve që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, siç është një i tillë edhe projekti për QKMF-në në Gjilan.
Drejtoresha e QKMF-së, Arbenita Hajdari, nga ana e saj, tha se donacioni i dy makinave industriale për pastrimin e çarçafëve dhe garderobës së punës është i mirëseardhur për këtë institucion shëndetësor.