Türkiye ka kryesuar listën e vendeve që ofrojnë ndihmë humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës së rrethuar në mes të një ofensive vdekjeprurëse izraelite në enklavë.
Sipas të dhënave të publikuara nga dega ushtarake izraelite COGAT, që merret me transferimin e ndihmave, Türkiye dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë ofruar secila 26 përqindëshin e sasisë totale të ndihmave të dhuruara për Rripin e Gazës.
Arabia Saudite ka ofruar 15 për qind të sasisë totale të ndihmave, ndërsa Katari 7 për qind, duke u renditur në listë i treti dhe i katërti.
COGAT tha se rreth 322 kamionë që transportonin ndihma humanitare hynë në Gaza dje.
Megjithatë, numri ishte shumë më i vogël se numri i kamionëve me ndihma të nevojshme për të adresuar nevojat e rënda të palestinezëve në enklavën e rrethuar.
Zyra për media e qeverisë me bazë në Gaza thotë se Gazës i duhen 1 mijë kamionë me ndihma humanitare çdo ditë.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar në fillim të tetorit të kaluar nga grupi palestinez Hamas kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.
Që atëherë, nga sulmet izraelite në Gaza janë vrarë të paktën 33.200 palestinezë dhe pothuajse 76 mijë të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.
Izraeli po ashtu ka vendosur një bllokadë në Rripin e Gazës, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e enklavës, veçanërisht banorët e Gazës veriore.
Lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu, 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila së fundmi kërkoi që Tel Avivi të bëjë më shumë për të parandaluar urinë në Gaza.