Udhëtimi për në Türkiye ofron aventura emocionuese dhe përvoja të mrekullueshme, pavarësisht nëse udhëtoni vetëm ose zgjidhni paketa turistike. Në gjysmën e parë të vitit 2024, Türkiye shënoi një rritje prej 13,9 për qind të numrit të turistëve në krahasim me një vit më parë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Türkiyes, vendin e kanë vizituar 26.1 milionë turistë, ndërsa të ardhurat nga turizmi janë rritur me 9.3 për qind, duke arritur në 23.7 miliardë dollarë amerikanë. Kostoja mesatare ditore për vizitor ishte 98 dollarë.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoy tha se rezultatet për gjashtë muajt e parë konfirmuan angazhimin e Türkiyes për të arritur objektivin e 60 milionë vizitorëve dhe 60 miliardë dollarë të ardhura deri në fund të vitit. Tregjet tradicionale si Rusia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar vazhduan të rriteshin, ndërsa rritja më e lartë u regjistrua në tregjet kineze dhe japoneze.
Antalya: Parajsa më e mirë verore me një ofertë të pakrahasueshme
Bregdeti turk, destinacioni kryesor veror i Türkiyes që magjeps vizitorët me bukurinë e tij të jashtëzakonshme, ofron shumë më tepër se plazhet e përsosura të detit dhe flamurit blu. Riviera turke dhe "kryeqyteti i saj", Antalya, ofrojnë peizazhe të bukura, kuzhinë të shkëlqyer mesdhetare, vende të mrekullueshme antike të hapura deri në mesnatë dhe aventura që përfshijnë shëtitje dhe sporte ujore. Duke pasur parasysh këtë diversitet, nuk është për t'u habitur që Antalya tërheq miliona turistë çdo vit.
Rusia, Gjermania dhe Mbretëria po vërshojnë vendet më të mëdha turistike si: Antalya, Istanbuli, Izmiri dhe Mugla. Më shumë se 2.7 milionë rusë dhe 2.5 milionë gjermanë zgjodhën Antalyan si destinacion pushimi, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, tregu i tretë më i madh i Türkiyes, pa një rritje prej 19 për qind, me gati 1.8 milionë britanikë që vizituan Türkiyen në gjysmën e parë të vitit.
Türkiye arriti rritjen më të lartë në tregun kinez, duke pritur më shumë se 187,000 vizitorë, një rritje prej 111 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Më shumë se 56,000 turistë japonezë vizituan Türkiyen në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, që është 96 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023.
Mugla: Oazet dhe hijeshia e Bodrumit
Mugla, me vijën bregdetare më të gjatë në Türkiye, tërheq turistët me destinacionet e saj të famshme si Fethiye, Marmaris dhe Bodrum. Këto destinacione ofrojnë ujëra bruz, gjire të pacenuar dhe një sërë aktivitetesh. Bodrum, me nuancën unike të blusë, ofron eksperienca luksoze që kanë tërhequr shumë turistë.
Rritet kërkesa për trashëgimi kulturore
Istanbuli, ku Evropa takohet me Azinë, po sheh rritje të qëndrueshme të numrit të vizitorëve. Ky qytet ofron një mozaik mahnitës përvojash me vendet historike si Aya Sofja dhe Kulla e Gallatës. Turistët kanë shijuar gjithashtu skenën e pasur të kuzhinës së Istanbulit, duke e bërë atë një nga qytetet më të mira gastronomike në botë.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, muzetë dhe vendet historike të Türkiyes mirëpritën afro 14 milionë vizitorë, një rritje prej 12 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vendet më të vizituara të trashëgimisë turke në këtë periudhë ishin Efesi në Izmir, Muzeu Mevlana në Konya, Hierapolis dhe Pamukkale në Denizli dhe Goreme dhe Zelve/Pasabaglari në Kapadokya/Nevsehir.