Ministrat e Mbrojtjes e Türkiyes, Rusisë dhe Sirisë u takuan në Moskë dhe biseduan për luftën kundër terrorizmit në rajon, deklaroi ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar.
“Gjatë takimit folëm për atë se çfarë mund të bëhet që të përmirësohet situata në Siri dhe në rajon sa më parë, ndërsa njëkohësisht të sigurohet paqja dhe stabiliteti”, tha Akar pas takimit.
Ai deklaroi se gjatë takimit, Türkiye i ka theksuar përpjekjet e saj në luftën kundër terrorizmit.
“Theksuam se e respektojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendeve fqinje, sidomos Sirisë dhe Irakut, dhe se qëllimi ynë i vetëm është lufta kundër terrorizmit”, tha Akar.
Siç deklaroi ai, Türkiye ka për qëllim neutralizimin e terroristëve të PKK/YPG-së dhe DAESh-it, të cilat janë kërcënim edhe për Sirinë.
“U treguam (Rusisë dhe Sirisë) se bëjmë përpjekje që të arrijmë sigurinë e vendit, kombit dhe kufijve tanë”, tha Akar, duke shtuar se Türkiye bën shumë përpjekje për të ndalur migrimin e mëtejshëm nga Siria në Türkiye.
Ministri turk tha se kriza siriane duhet të zgjidhet në mënyrë gjithëpërfshirëse në kuadër të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurisë në OKB.
“Në këtë drejtim, vlerësojmë se puna që do të bëhet ditëve të ardhshme mund të japë kontribut të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe Sirisë”, tha Akar.
Ai përsëriti se bashkë me ministrin rus dhe atë sirian të mbrojtjes u pajtuan që të vazhdojnë takimet tripalëshe që të sigurojnë stabilitet në Siri dhe rajonin më të gjerë.