UNHCR-ja: Izraeli bombardon rrugët e atyre që kalojnë nga Libani në Siri / Photo: AA

Përfaqësuesi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) për Sirinë, Gonzalo Vargas Llosa, tha se Izraeli i cili vazhdon sulmet e tij të pandërprera, po bombardon rrugët e atyre që kalojnë nga Libani në Siri.

Llosa bëri një postim nga llogaria e tij në X lidhur me kalimet në Siri nga Libani të cilin Izraeli po e sulmon.

Duke vënë në dukje se Izraeli bombardoi për herë të tretë rajonin Jounieh që është ana siriane e pikës kufitare me Libanin, Llosa tha: "Dëmi i madh e bën pothuajse të pamundur kalimin e njerëzve që ikin nga Libani".

Ai theksoi se pavarësisht rreziqeve serioze personeli i UNHCR-së po përpiqet të ndihmojë fizikisht njerëzit në atë zonë, të cilët janë mjaft të shëndetshëm për të kaluar në Siri, por që disa të moshuar janë kthyer në Liban. "Ata u bombarduan në Liban. U bombarduan teksa përpiqeshin të largoheshin", shtoi Llosa.

Më tej, Llosa vuri në dukje se disa nga ata që janë të pafuqishëm janë rikthyer në Liban dhe se do t'u nënshtrohen më shumë bombardimeve.

Përfaqësuesi i UNHCR-së për Sirinë tha se rreth 560 mijë njerëz kanë kaluar në Siri nga Libani i cili javët e fundit ndodhet nën sulmet intensive të Izraelit.

Në sulmet e Izraelit në Liban kanë humbur jetën 3.754 persona

Ushtria izraelite, e cila që nga 8 tetori 2023 ka vazhduar konfliktin e kontrolluar me Hezbollahun, më 23 shtator nisi qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.

Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, 3.754 persona, përfshirë 926 fëmijë dhe gra si dhe 220 punonjës shëndetësorë janë vrarë, ndërsa 15.626 të tjerë janë plagosur që nga 8 tetori 2023.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.

Ndërkaq, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.

Vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut. Sipas të dhënave të OKB-së për shkak të sulmeve izraelite në Liban janë zhvendosur mbi 1,9 milion njerëz. Qeveria libaneze ka njoftuar se më shumë se 624 mijë nga personat e zhvendosur kanë migruar në Siri.

TRT Balkan / agjencitë