Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka reaguar në mbrojtje të fëmijëve palestinezë në Gaza duke thënë se vrasja e tyre duhet të ndalet sa më parë.
“Fëmijët në shtetin e Palestinës janë ekspozuar ndaj një cikli tragjik dhe vicioz dhune për një kohë të gjatë. Kjo është një luftë që prek në mënyrë disproporcionale fëmijët”, tha Adele Khodr, Drejtoreshë Rajonale e UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, duke shtuar:
“Vrasja e fëmijëve duhet të ndalet. Ne kemi nevojë për armëpushim të menjëhershëm”.
Ajo kujtoi se fëmijët janë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve izraelite.
“Në 72 orët e fundit, tre fëmijë palestinezë u vranë në një operacion ushtarak në Tulkarem në Bregun Perëndimor dhe të paktën 14 fëmijë të tjerë u vranë në Rafah”, tha Khodr.
Numri i personave të vrarë në sulmet e kryera nga ushtria izraelite e akuzuar për gjenocid në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 34.097.
Lufta e Izraelit ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Rripit të Gazës në zhvendosje të brendshme me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas Kombeve të Bashkuara.
Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të siguruar që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.