Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) ka organizuar takim me mediat e akredituara në Maqedoninë e Veriut. Në takim morën pjesë përfaqësuesit e mediave në vend, përfshirë edhe të servisit të Anadolu-t në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
Para takimit, rektori i IBU-s prof. dr. Lütfi Sunar, në deklaratën e tij për gazetarët tha se në mënyrë tradicionale po takohen një herë në vit me përfaqësuesit e mediave në vend. Ai tregoi se në këto takime mediat i informojnë lidhur me zhvillimet në universitet, si dhe u përgjigjen pyetjeve të tyre lidhur me universitetin.
"Universiteti ynë është universiteti më dinamik dhe që zhvillohet më së shpejti në Maqedoninë e Veriut. Në këtë kontekst, çdo vit ndodhin shumë zhvillime dhe risi. Duam t'i prezantojmë këto në media dhe të informojmë segmente të ndryshme të shoqërisë nëpërmjet tyre. Duam të sigurojmë një rrjedhë sistematike, të rregullt dhe të qartë të informacionit. Në këtë mënyrë, po përpiqemi të sigurojmë që universiteti ynë të jetë sa më transparent dhe më i aksesueshëm", u shpreh rektori Sunar.
Gjatë aktivitetit, rektori Sunar i shoqëroi përfaqësuesit e mediave gjatë një shëtitjeje në kampus, ku i informoi ato lidhur me zhvillimet e fundit dhe punimet që i realizojnë për t'i shtuar cilësi jetës në kampus.