COVID-19 i ka dhënë goditjen më të madhe synimeve globale për uljen e varfërisë në 30 vitet e fundit.     Foto: Reuters

Ushqimi i kontaminuar mund të shkaktojë mbi 200 sëmundje të ndryshme, ndërsa shkalla e barrës mbi shëndetin publik është e krahasueshme me malarinë ose HIV AIDS. Fëmijët nën moshën 5 vjeçare janë më së shumti në rrezik, pasi një nga gjashtë vdekjet nga diarrea shkaktohen nga ushqimi i pasigurt.
Për këtë shkak, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) lançon këtë të hënë Strategjinë Globale për Sigurinë e Ushqimit 2022-2030, të aprovuar nga vendet anëtare të OBSh-së. Strategjia është përpiluar për të orientuar vendet anëtare që të planifikojnë, të implementojnë, të monitorojnë si dhe t’u japin prioritet aktiviteteve për zvogëlimin e rasteve të sëmundjeve nga ushqimi, duke fuqizuar vazhdimisht sistemin e sigurisë së ushqimit.
Vizioni i Strategjisë është që të gjithë njerëzit, kudo, të konsumojnë ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm, duke zvogëluar mundësitë për sëmundje nga ushqimi.
Qëllimi është që të ulen për 40% rastet e sëmundjeve nga ushqimi me pasojë diarrean, që prekin më së shumti fëmijët dhe rrezikojnë jetët e tyre.

Sëmundjet nga ushqimi në rritje të frikshme

Rreth 600 milionë njerëz sëmuren nga ushqimi i kontaminuar për çdo vit, ndërsa rreth 420 mijë njerëz humbin jetën në nivel vjetor.
Fëmijët nën moshën 5-vjeçare përbëjnë rreth 40% të rasteve të infektimit nga ushqimi i kontaminuar, ndërsa rreth 125 mijë fëmijë nën 5 vjeç humbin jetën si pasojë e ushqimit.
Rastet e sëmundjes nga ushqimi po shënojnë rritje marramendëse dekadave të fundit. Autoritetet shëndetësore në ShBA kanë regjistruar rritje prej 525% të shpërthimit të sëmundjeve nga ushqimi në vitet 2016-2018 krahasuar me vitet 1998-2000, ndërsa numrat vazhdojnë e rriten për çdo vit.
Sipas OBSh-së, shtetet me të hyra të ulëta dhe të mesme humbin rreth 110 miliardë dollarë çdo vit nga rënia e produktivitetit dhe shpenzimet mjekësore si pasojë e sëmundjeve nga ushqimi.

Ushqimet që shkaktojnë më shumë infektime
Mishi i pulës është shkaktari numër një i infektimeve në nivel global. Në ShBA, rreth 12% të rasteve të infektuara kanë si origjinë mishin e pulës të kontaminuar.
Pastaj vijnë mishi i viçit (9%), frutat (9%), vezët (7%), perimet (7%), qumështi dhe prodhimet e qumështit (5%), e kështu me radhë.
Lloji më i përhapur i bakterieve që barten nga ushqimi janë Salmonella, Campylobacter dhe Escherichia coli.
Listeria është gjithashtu një nga infektimet që vijnë nga ushqimi. Edhe pse infektimet me këtë bakterie janë të më të rralla, pasojat e saj janë më të rrezikshmet nga të gjitha bakteriet e tjera. Listeria shkakton abortim te gratë shtatzëna ose vdekjen e foshnjave të posalindura. Pasojat e rënda të Listerias shpesh shkaktojnë vdekje edhe te fëmijët dhe të moshuarit. Kjo bakterie gjendet më së shumti në prodhimet qumështore dhe ushqimet e ndryshme të gatshme, ndërsa mund të rritet edhe në temperaturë frigoriferi.
Gjithashtu toksina dhe kimikale të ndryshme mund të kontaminojnë ushqimin, ndërsa në raste ekstreme janë regjistruar edhe ndotje radioaktive si pasojë e aksidenteve bërthamore.
Simptomet
Simptomet e sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi dallojnë varësisht nga burimi i infektimit, bakteria, virusi, paraziti apo kimikalet që kanë shkaktuar infektimin. Në përgjithësi, simptomet më të shpeshta janë:
· Dhimbje barku
· Diarre
· Temperaturë
· Humbje e oreksit
· Përzierje të barkut
· Vjellje
· Plogështi

Situata në Ballkan
Edhe pse me reliev të përshtatshëm bujqësor, vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të importojnë mijëra tonelata ushqime në vit. Autoritetet për sigurinë e ushqimit shpesh kanë konstatuar ushqim të pasigurt në vendet e Ballkanit.
Vetëm muajin e kaluar, autoritetet në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ndaluan shitjen e produkteve të mishit Wudy, pasi u vërtetua prania e bakteries Listeria në prodhimet e tyre.
Gjithashtu gjatë këtij viti janë regjistruar dhjetëra raste të helmimeve masive nga ushqimi në vendet e Ballkanit, ndërsa autoritetet kanë mbyllur ose gjobitur disa restorante dhe objekte të tjera hotelierike.

TRT Balkan