Ushtria izraelite arrestoi të paktën 18 palestinezë në bastisjet ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan të martën grupet për çështjet e të burgosurve.
Fëmijët ishin mes të arrestuarve në bastisjet që shënjestruan disa qytete në territorin e pushtuar, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, Hebronin, Betlehemin, Salfit, Nablus dhe Ramallah, njoftoi Komisioni i Çështjeve të të Burgosurve dhe Shoqëria Palestineze e të Burgosurve.
“Bastisjet u karakterizuan nga abuzime, kërcënime ndaj të arrestuarve dhe familjeve të tyre, dhe akte vandalizmi dhe shkatërrimi në shtëpitë e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Arrestimet e reja e çuan numrin e palestinezëve të ndaluar nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor që nga tetori i vitit të kaluar në mbi 11,900, përfshirë ata që u liruan pasi u arrestuan, sipas shifrave palestineze.
Në këto numrat nuk përfshihen të arrestuarit nga Rripi i Gazës, numri i të cilëve vlerësohet të jetë në mijëra.
Gjatë viteve të fundit, ushtria izraelite ka kryer bastisje të rregullta në Bregun Perëndimor, të cilat janë përshkallëzuar me fillimin e luftës në Gaza më 7 tetor 2023. Palestinezët gjithashtu janë sulmuar dhunshëm nga kolonët e paligjshëm izraelitë.
Të paktën 801 palestinezë janë vrarë dhe mbi 6,450 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Përshkallëzimi vjen pas një opinioni historik në korrik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që shpalli "të paligjshëm" pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.