Të enjten herët, ushtria izraelite hodhi në erë shtëpinë e një palestinezi në Bregun Perëndimor të pushtuar, i cili u vra nga forcat izraelite në një sulm të supozuar me thikë disa muaj më parë.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa raportoi se forcat izraelite bastisën qytetin Dura në qytetin jugor të Hebronit dhe detyruan familjen e Momena Masalema të largohej nga shtëpia e tyre.
Pas kësaj, ushtria izraelite hodhi në erë shtëpinë në shenjë hakmarrjeje ndaj një anëtari të familjes të cilin Izraeli e akuzoi për kryerjen e një sulmi me thikë në prill që vrau një kolon izraelit.
Më 5 qershor, autoritetet izraelite informuan familjen për vendimin për prishjen e shtëpisë.
Sipas faqes së lajmeve Times of Israel, Masalema u vra nga forcat izraelite pas një sulmi në qytetin Gan Yavne, në të cilin një izraelit u vra dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.
Autoritetet izraelite ndjekin një politikë të shkatërrimit të shtëpive të palestinezëve të akuzuar për sulme ndaj ushtarëve dhe kolonëve izraelitë, e cila konsiderohet gjerësisht si një formë e ndëshkimit kolektiv të ndaluar ndërkombëtarisht, pasi shkakton shpërnguljen e familjeve të tëra.
Gjatë viteve të fundit, ushtria izraelite ka kryer sulme të rregullta në Bregun Perëndimor, të cilat u përshkallëzuan me fillimin e luftës së Gazës më 7 tetor 2023. Palestinezët po sulmohen gjithashtu nga kolonët e paligjshëm izraelitë.
Që atëherë, të paktën 620 palestinezë janë vrarë dhe rreth 5.400 janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 19 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli "të paligjshëm" pushtimin prej dekadash të tokës palestineze dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor (Jerusalem).