Ushtria izraelite: Nuk ka armëpushim në Gaza, vetëm “pauza taktike” / Photo: AA

Ushtria izraelite përsëriti të enjten se nuk do të ketë armëpushim në Rripin e Gazës, por vetëm “pauza taktike të kufizuara dhe të lokalizuara”.

“Nuk ka armëpushim. Ka pauza taktike, lokale për ndihmën humanitare për civilët e Gazës,” shkroi ushtria në X.

Ushtria vuri në dukje se pauzat janë "të kufizuara në kohë dhe zonë".

“Ne po ofrojmë gjithashtu korridore humanitare për civilët në Gaza që të lëvizin përkohësisht në jug në zona më të sigurta ku ata mund të marrin ndihma humanitare”, thuhet në deklaratë.

Më herët, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Izraeli ishte pajtuar për “pauza” 4-orëshe ditore të luftimeve në veri të Gazës.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim humanitar, qeveria izraelite vazhdon t'i rezistojë një marrëveshjeje të tillë.

Ushtria izraelite vazhdon të inkurajojë palestinezët në veri të Gazës që të lëvizin në jug.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha të mërkurën se dhjetëra mijëra palestinezë ishin evakuuar nga veriu në jug gjatë dy ditëve të fundit.

Izraeli ka përshkallëzuar veprimet e tij ushtarake, duke përfshirë sulmet ajrore, operacionet tokësore dhe bombardimet detare, veçanërisht në rajonin verior të Rripit të Gazës, ku po përparon me tanke.

AA