“Ushtria izraelite pengon ekipet mjekësore të arrijnë te të plagosurit” / Foto: AA Arkiv

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se ushtria izraelite ka penguar ekipet mjekësore të arrijnë tek të plagosurit në veriun e Rripit të Gazës, i cili është nën rrethim.

"Ekipet mjekësore në veri të Rripit të Gazës janë të ekspozuara ndaj sulmeve dhe presioneve nga ushtria izraelite. Të sëmurët dhe të plagosurit nuk mund të marrin kujdes shëndetësor për shkak të pengesave nga ushtria izraelite," tha zëdhënësi i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, Raid en-Nems.

Ai u shpreh për rreziqet e sulmeve izraelite në veriun e Rripit të Gazës.

"Izraeli po mbyll banorët e rajonit, i trajton keq dhe i detyron të migrojnë nga veriu i Gazës," tha Nems.

Zëdhënësi i Gjysmëhënës së Kuqe e përshkroi situatën në veriun e Rripit të Gazës si "katastrofike" për shkak të sulmeve të ushtrisë izraelite mbi civilët dhe institucionet shëndetësore.

Nems theksoi se ka mungesa ushqimi, uji, ilaçesh dhe materialesh mjekësore në veri të Rripit të Gazës.

Ushtria izraelite, e cila më 5 tetor ndërmori sulme intensive ajrore në veriun e Rripit të Gazës, veçanërisht në kampin e refugjatëve Jabalija, më 6 tetor ndërmori një sulm tokësor në këto zona.

Mendohet se ky hap është ndërmarrë për të evakuuar palestinezët nga veriu i Rripit të Gazës dhe për ta përgatitur këtë zonë për izraelitët, siç raportuan më parë mediat izraelite, duke e quajtur këtë si "Plani i Gjeneralit".

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichay Adraee më 7 tetor paralajmëroi palestinezët në Beit Hanoun, Jabalija dhe Beit Lahija në veriun e Rripit të Gazës që të largohen nga ajo zonë.

AA