Ushtria izraelite sulmon automjet palestinez në Jenin. / Foto: AA

Ushtria izraelite goditi të enjten në mëngjes një automjet palestinez në qytetin Jenin, mes ofensivës së vazhdueshme në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Dëshmitarët okularë i thanë Anadolus se një dron izraelit goditi një makinë në lagjen lindore të Jeninit, por nuk u raportuan lëndime pasi brenda saj nuk ndodhej askush.

Ushtria izraelite vazhdon ofensivën shkatërruese në zonat e Jeninit dhe Tulkaremit, në veri të Bregut Perëndimor, e cila filloi më 21 janar dhe deri më tani ka lënë mbi 30 persona të vrarë, ka zhvendosur mijëra njerëz dhe ka shkaktuar dëme në shkallë të gjerë.

Ndërkohë, ushtria izraelite kreu bastisje edhe në zona të tjera të Bregut Perëndimor, përfshirë qytetin Nablus, për të arrestuar palestinezë, sipas dëshmitarëve.

Të martën, organizata humanitare Mjekët pa Kufij deklaroi se ofensiva izraelite në Jenin dhe Tulakrem ka zhvendosur mbi 38.000 palestinezë.

Përshkallëzimi i dhunës në Bregun Perëndimor pason një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve në Gaza më 19 janar, pas më shumë se 15 muajsh bombardimesh izraelite, të cilat kanë vrarë mbi 48.200 palestinezë dhe kanë shkatërruar enklavën.

Që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, forcat izraelite dhe kolonët kanë vrarë të paktën 910 palestinezë në Bregun e pushtuar Perëndimor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli të paligjshme pushtimin shumëvjeçar izraelit të tokave palestineze dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

TRT Balkan / agjencitë