Ushtria izraelite u tërhoq nga zonat veriore të Rripit të Gazës të shtunën në mes të luftimeve të ashpra me luftëtarët palestinezë në të cilat dhjetëra ushtarë izraelitë u vranë ose u plagosën.
Tërheqja vjen pasi Izraeli avancoi brenda Rripit të Gazës nga disa drejtime ditët e fundit. Ushtria izraelite po përballet me rezistencë të ashpër nga luftëtarët palestinezë në disa pika në Gaza.
Avionët luftarakë izraelitë, artileria dhe anijet luftarake kanë shtuar sulmet në qytetin e Gazës dhe pjesën veriore të Rripit të Gazës.
Nga ana tjetër, krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Kassam, tha se sulmoi ushtarët izraelitë, automjete të blinduara dhe tanke me granata raketash, veçanërisht në pjesën veriore të qytetit të Gazës.
Ana veriore e Gazës
Në anën veriore të Gazës, forcat izraelite u tërhoqën pasi u vendosën në zonën Al-Maqqousi në pjesën veriore të qytetit të Gazës dhe në zonën veriore të kampit të refugjatëve Al-Shati, në veriperëndim të qytetit të Gazës.
Forcat izraelite u kthyen në veri në një stacion në zonën Al-Amrikiyah, në veriperëndim të Beit Lahia, që do të thotë se ushtria u tërhoq dy kilometra në pozicionin në zonën ku arriti në ditën e parë të operacionit tokësor më 27 tetor.
Siç raporton Anadolu, forcat izraelite u tërhoqën në një zonë bujqësore larg zonave të banuara dhe të populluara.
Zëdhënësi i Brigadës Kassam, Abu Obeida, tha se luftëtarët e Hamasit po luftojnë kundër forcave izraelite në Beit Hanoun në Rripin verior të Gazës, në veriperëndim të qytetit të Gazës dhe në pjesën juglindore të qytetit të Gazës në lagjet Al-Zaytoun dhe Tal al-Hawa.
"Muxhahidët (luftëtarët) tanë kanë shkatërruar 24 automjete ushtarake izraelite në dy ditët e fundit", tha Abu Obeida.
Ushtria izraelite tha të shtunën se 345 ushtarë të saj janë vrarë që nga shpërthimi i luftimeve në Rripin e Gazës më 7 tetor. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha në një konferencë për media se 4 ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza, duke e çuar numrin e ushtarëve të vrarë në 345.
Ana jugore e Gazës
Në pjesën jugore të qytetit të Gazës, ushtria izraelite bombardoi zonat në lagjet Al-Zaytoun dhe Tal al-Hawa.
Forcat izraelite qëndruan të stacionuara 500 metra nga rruga bregdetare e Gazës, e njohur si Rruga Al-Rasheed në pjesën jugperëndimore të qytetit të Gazës.
Brigadat Kassam njoftuan se po luftojnë kundër forcave izraelite në anën jugore të Gazës dhe njoftuan se kishin sulmuar një tank izraelit me një raketë antitank "Konkurs".
Ku po shkojnë forcat izraelite?
Ushtria izraelite po përpiqet të përparojë nga vendbanimi Al-Zaytoun drejt pjesëve veriore të Gazës. Nga përmasat e shkatërrimeve që shkaktuan në vendbanimin Tal al-Hawa, duket se po bëhen përgatitje për një avancim tokësor nga ato zona.
Plani të kujton operacionin tokësor 2008-2009 në Gaza e cila zgjati 23 ditë kur forcat izraelite përparuan nga Gaza lindore në vendbanimin Al-Zaytoun.
Atëherë forcat izraelite arritën në zonën e spitalit Al-Quds në lagjen Tal al-Hawa. Kjo zonë është ekspozuar ndaj bombardimeve të forta izraelite ditët e fundit, veçanërisht në zonat përreth të spitalit Al-Quds.
"Izraeli do të vazhdojë operacionet e tij në Gaza derisa të arrijë fitoren, edhe nëse duhet një vit i plotë", tha të shtunën ministri i Mbrojtjes i vendit.
"Ne do të qëndrojmë në Gaza derisa të fitojmë, edhe nëse duhet një vit", tha ministri i Mbrojtjes, Yoav Galant në një fjalim publik të transmetuar nga Autoriteti i Transmetimit të Izraelit. Ai shtoi se “pas kësaj lufte, në Gaza nuk do të mbetet asnjë kërcënim që do të jetë në gjendje të terrorizojë Izraelin nga kufiri jugor”.
"Ne do të kemi liri të plotë operacionale për të operuar brenda Rripit", tha Galant.
Këtë javë, ushtria izraelite zgjeroi sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga një ofensivë e papritur nga Hamasi më 7 tetor. Sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori kanë vrarë 9.500 palestinezë ndërsa më shumë se 1.500 izraelitë janë vrarë në të njëjtën kohë.