Njësitë speciale të ushtrisë së Libanit kanë shkatërruar pajisje të dyshimta komunikimi në pjesë të ndryshme të vendit.
Pas sulmeve në të cilat pejxherët shpërthyen në vend dhe për të cilat Izraeli u konsiderua përgjegjës, ushtria libaneze në një deklaratë tha: "Njësitë speciale të ushtrisë po shpërthejnë pejxherë dhe pajisje të dyshimta komunikimi në rajone të ndryshme".
Në deklaratë u kërkohet qytetarëve të qëndrojnë larg zonave ku kanë ndodhur shpërthimet dhe të raportojnë çdo mjet të dyshimtë.
Dje, ushtria libaneze shpërtheu një pajisje për të cilën dyshohej se ishte bllokuar me një mjet shpërthyes në mënyrë të kontrolluar në parkingun e Spitalit Universitar Amerikan në kryeqytetin Bejrut, ku u sollën të plagosurit.
Drejtoria Libaneze e Aviacionit Civil njoftoi kompanitë që operojnë në aeroportin "Rafik Hariri" në Bejrut se nuk do të lejohen të mbajnë pejxherë ose pajisje radio të tipit "walkie-talkie" në avionët e tyre.
Shpërthimi i pejxherëve në Liban
Më 17 shtator, ndodhën shpërthime të njëkohshme në pejxherët e përdorur nga anëtarët e Hezbollahut në Liban. Nga shpërthimet humbën jetën 12 persona, mes tyre dy fëmijë dhe u plagosën rreth 2.800 të tjerë ku rreth 300 në gjendje të rëndë.
Dje 20 persona humbën jetën dhe mbi 450 të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit të shumë radiove në vend.
Ndërsa zyrtarët libanezë e konsiderojnë Izraelin përgjegjës për incidentin, Izraeli nuk ka dhënë ende deklaratë për këtë çështje.
Hezbollahu kërcënoi se do t'i "bëjë njerëzit të paguajnë një çmim të lartë" pas sulmeve.
Përplasjet, të cilat janë intensifikuar herë pas here, kanë ndodhur mes palëve në kufirin Izrael-Liban që nga 8 tetori 2023.