Vendet e Bashkimit Evropian në 2022 kanë importuar pesëfish më shumë biçikleta sesa kanë eksportuar. Të dhënat e EUROSTAT-it flasin se gjatë vitit 2022 vendet e BE-së kanë eksportuar 1 milion biçikleta, ose 31 për qind më pak se në vitin 2021.
Nga ana tjetër, gjatë vitit të kaluar shtetet e BE-së, kanë importuar 5,2 milionë biçikleta, ose 9 për qind më pak se në vitin 2021. Në vitin 2022, BE-ja, siç thotë EUROSTAT-i, eksportoi biçikleta (elektrike dhe joelektrike) në vlerë 1,1 miliardë euro apo 22 për qind më tepër krahasuar me vitin 2021.
Sa i përket importit, EURSOTAT-i tregon se arriti në më shumë se dyfishin e eksporteve, me 2,5 miliardë euro biçikleta ose 32 për qind më tepër për dallim nga vitit 2021.
“Rritja e përgjithshme e vlerës së tregtimit të biçikletave mund t'i atribuohet rritjes së tregtisë së biçikletave elektrike, të cilat zakonisht janë më të shtrenjta”, thotë EUROSTAT-i.
Zvicra dhe Britania e Madhe, destinacionet për eksport
Në vitin 2022, Zvicra ishte destinacioni kryesor për eksportet e BE-së të biçikletave joelektrike (25% e totalit jashtë BE-së, e matur në vlerë), e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (23%) dhe Shtetet e Bashkuara (7%).
Për eksportet e biçikletave elektrike, Zvicra dhe Britania e Madhe ishin gjithashtu destinacionet kryesore (përkatësisht 38% dhe 27% e eksporteve totale të biçikletave elektrike jashtë BE-së), e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara (13%) dhe Norvegjia (9%).
Türkiye në mesin e pesë importuesve kryesorë të BE-së
Në vitin 2022, importet e BE-së të biçikletave joelektrike erdhën kryesisht nga Kamboxhia (30% e importeve totale të biçikletave jashtë BE-së), Tajvani (23%), Kina (11%), Bangladeshi (10%) dhe Türkiye (6%).
Ndërkohë, importet e biçikletave elektrike në BE erdhën kryesisht nga Tajvani (56% e totalit të importeve të biçikletave elektrike jashtë BE-së), e ndjekur nga Vietnami (14%), Zvicra (13%), Kina (8%) dhe Türkiye (5%).