Viktima të reja nga sulmet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. / Photo: AA

Forcat izraelite vranë tre palestinezë në një sulm në Jenin të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Forcat izraelite mëngjesin e sotëm bastisën vendbanimin Jaba të Jeninit dhe hapën zjarr ndaj automjetit ku ndodheshin palestinezët. Tre të rinj palestinezë rreth të 20-tave, të cilët ndodheshin në automjet, humbën jetën.

Ndërkohë, një fëmijë palestinez i cili u plagos në bastisjen e forcave izraelite në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor të pushtuar dy ditë më parë, ka ndërruar jetë.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria palestineze e Shëndetësisë thuhet se ka humbur jetën 14-vjeçari Walid Saad Davud Nassar, i cili u plagos rëndë në bastisjen e kryer nga ushtarët izraelitë më 7 mars.

Sulmet e ushtrisë dhe kolonëve izraelitë

Bastisja e forcave izraelite në Nablus, që ndodhet në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, nga disa pika më 22 shkurt, përshkallëzoi edhe një herë tensionet në rajon.

Duke rrethuar një shtëpi në qytetin e vjetër historik të Nablusit, ushtarët izraelitë ndërhynë me plumba të vërtetë kundër palestinezëve që protestonin kundër bastisjes, duke vrarë 11 palestinezë, përfshirë një fëmijë dhe dy të moshuar dhe duke plagosur më shumë se 100 palestinezë, 6 prej tyre rëndë.

Pas bastisjes së përgjakshme në Nablus, dy kolonë hebrenj u vranë në një sulm të armatosur në vendbanimin Huwwara më 26 shkurt.

Pas incidentit, qindra hebrenj fanatikë sulmuan Huwwara-n nën mbikëqyrjen e ushtrisë izraelite dhe kryen sulme "masive hakmarrjeje" kundër palestinezëve. Kolonët u kishin vënë flakën dhjetëra shtëpive, vendeve të punës dhe automjeteve në qytet, plagosën disa dhe vranë 1 palestinez.

Që nga fillimi i vitit të ri, 78 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

TRT Balkan / agjencitë