Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) më 23 maj do të votojë për rezolutën për shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.
Rezoluta ishte dashur të diskutohej më 2 maj, por u shty për arsye procedurale.
Rezoluta për Srebrenicën nënkupton vendimin për të shënuar çdo vit 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të kryer në Srebrenicë në vitin 1995.
Rezoluta gjithashtu dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë dhe inkurajon shtetet anëtare që të ruajnë faktet e vërtetuara përmes sistemeve të tyre arsimore duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu si shenjë kujtimi, me qëllim parandalimin e revizionizmit dhe shfaqjes së gjenocidit në të ardhmen.
Përkrahësit e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë janë Gjermania dhe Ruanda.
Në vitin 1995 në Srebrenicë, e cila atëherë ishte nën mbrojtjen e OKB-së, njësitë e Ushtrisë së atëhershme të Republika Sërpska vranë të paktën 8.000 boshnjakë. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e përcaktoi atë krim si gjenocid dhe më shumë se 50 persona u dënuan atje dhe para gjykatave në Bosnjë e Hercegovinë.
Masakra në Srebrenicë u shpall gjenocid edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë (GjND).
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot do të mbajë një seancë të rregullt për situatën në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa në të është planifikuar të flasin përfaqësuesi i lartë në BeH Christian Schmidt si dhe anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës Denis Beqiroviq.