Vrimat në avionin e rrëzuar të Azerbajxhanit ngjallin spekulime për sulm.          Foto: AA

Vrimat e mëdha në bishtin e avionit të kompanisë "Azerbaijan Airlines" që u rrëzua në Kazakistan të mërkurën nxitën spekulime se avioni është rrëzuar nga një sulm.

Vrimat, të dukshme qartë në fotografitë dhe videot e avionit "Embraer 190", duket se janë shkaktuar nga zjarr armësh, kanë thënë disa komentues dhe opinionistë në internet. Ndërsa hetuesit nga Kazakistani dhe Azerbajxhani nuk kanë komentuar ende mbi vrimat, njerëzit në mediat sociale kanë spekuluar se avioni është rrëzuar me armë.

Debatit i janë shtuar edhe raportime mediash në lidhje me pamundësinë e avionit për t'u ulur në Grozny të Çeçenisë për shkak të një sulmi ukrainas me dron disa orë para rrëzimit. Thuhet se piloti e ridrejtoi avionin në qytetin Makhachkala në rajonin fqinj të Dagestanit, por u pengua nga mjegulla dhe në fund iu kërkua të ulej në Aktau, një qytet i Kazakistanit në zonën e Detit Kaspik.

Ministria e Transportit e Kazakistanit tha sot se punonjësit e Departamentit të saj për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve të Transportit janë aktualisht në fazën e hetimit në terren. Ministria tha se një delegacion i Agjencisë Shtetërore të Aviacionit Civil të Azerbajxhanit si dhe përfaqësues të kompanisë "Azerbaijan Airlines", kanë mbërritur në Kazakistan dhe se hetimi po bëhet në bashkëpunim të ngushtë me ta.

"Azerbaijan Airlines" pezulloi fluturimet nga Grozny për në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku dhe në Makhachkala deri në fund të hetimit. Në një deklaratë tjetër, Ministria e Emergjencave e Kazakistanit tha se shtatë nga 38 personat që humbën jetën në aksident janë identifikuar, duke shtuar se gjashtë të lënduar mbeten në kujdes intensiv.

Ministria e Emergjencës e Rusisë tha se nëntë nga shtetasit e saj të lënduar në aksident janë kthyer në vend.

Ndryshe, një avion i "Azerbaijan Airlines" me 67 persona në bord – 62 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit – që po udhëtonte nga Baku për në Grozny u rrëzua të mërkurën pranë qytetit të Kazakistanit, Aktau.

Zëvendëskryeministri i Kazakistanit, Kanat Bozumbayev tha se 38 persona kanë humbur jetën në aksident ndërsa 29 kanë mbijetuar.

Për shkak të aksidentit, 26 dhjetori u shpall ditë zie kombëtare në Azerbajxhan.

TRT Balkan / agjencitë