Të paktën 6 persona janë vrarë, ndërsa 8 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore të Izraelit në jug të Libanit. Siç raporton agjencia zyrtare libaneze e lajmeve NNA, Izraeli kreu sulme ajrore në qytetin Alma al-Shaab në Sur në jug të Libanit. Një nga sulmet kishte në shënjestër shtëpinë e ish-kryebashkiakut të Alma al-Shaab, Assad Zarub. Shtëpia u shkatërrua, ndërsa 7 sirianë u plagosën në sulmet në qytet.
Tre persona humbën jetën në sulmet në vendbanimin Bint Jbeil në jug ndërsa 2 persona humbën jetën dhe një u plagos në sulmet ndaj vendbanimit Burj Kalaveyh. Një person ka vdekur në sulmet ajrore në Mashgara në rajonin Bakaa Perëndimore.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan 8 pika gjatë shtratit të lumit Litani në jug të Libanit.
1.328 persona humbën jetën në sulmet izraelite në Liban
Ushtria izraelite, e cila ka vazhduar përleshjet e kontrolluara me Hezbollahun që nga 8 tetori 2023, kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Bekaa dhe Baalbek më 23 shtator.
Sipas autoriteteve libaneze, gjithsej 1.328 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, kanë vdekur që nga 17 shtatori, kur u shpërthyen pajisjet e komunikimit të përdorura nga Hezbollahu.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.
Qindra mijëra njerëz u zhvendosën brenda vendit për shkak të bombardimeve izraelite.
Ndërkohë që vala e migrimit nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut vazhdon, dhjetëra mijëra njerëz kanë emigruar në Siri.