Vriten tre palestinezë nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor. / Foto: AA

Forcat izraelite vranë tre palestinezë në kampin e refugjatëve Nur Shams në Bregun Perëndimor verior, tha ushtria të enjten.

Një deklaratë e ushtrisë tha se të tre u vranë gjatë një përplasjeje në kampin në qytetin e Tulkaremit të mërkurën mbrëma.

Ushtria pretendoi se kishte vrarë më shumë se 60 palestinezë "të armatosur", kishte arrestuar mbi 210 të tjerë dhe kishte shkatërruar 30 objekte të infrastrukturës "terroriste" gjatë sulmit të saj në Bregun Perëndimor verior që nga 21 janari.

Sipas grupit humanitar Mjekët pa Kufij, sulmi izraelit në Jenin dhe Tulkarem në Bregun Perëndimor verior ka zhvendosur mbi 38.000 palestinezë.

Eskalim i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor vjen pas një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve në Gaza më 19 janar, pas më shumë se 15 muajsh bombardimesh izraelite që kanë vrarë mbi 48.200 palestinezë dhe kanë shkatërruar enklavën.

Që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 910 palestinezë në territoret e pushtuara, sipas Ministrisë së Shëndetësisë palestineze.

Në korrik të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli të paligjshme pushtimin dekadësh të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

TRT Balkan / agjencitë