Ushtria izraelite ka vrarë një gazetar tjetër palestinez në një sulm ajror në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të profesionistëve të vrarë të medias, që nga 7 tetori i vitit 2023, në të paktën 189.
Zyra për media e qeverisë në Gaza njoftoi se viktima e fundit ishte gazetari Wael Ibrahim Abu Quffa. Ai ishte ligjërues në Departamentin e Gazetarisë dhe Medias në Universitetin Islamik në Gaza.
Zyra për media dënoi vrasjen e gazetarit dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë, si dhe sulmet ndaj gazetarëve i përshkroi sistematike.
Ajo gjithashtu u kërkoi organizatave ndërkombëtare dhe qeverive ta "mbajnë Izraelin përgjegjës duke ndërmarrë veprime ligjore në gjykatat ndërkombëtare dhe t'i bëjnë presion Tel Avivit për ta ndaluar gjenocidin në vazhdim në Gaza".
Izraeli nisi një luftë gjenocidale ndaj Rripit të Gazës pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 44 mijë njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 104 mijë të tjerë.
Tashmë në vitin e dytë, gjenocidi në Gaza ka tërhequr një dënim ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave në enklavë si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.
Të enjten, Gjykata Ndërkombëtare Penale, në një lëvizje historike njoftoi se lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një akuzë gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën vdekjeprurëse në Gaza.