Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot në Beograd Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Farhan Al-Saud.     Foto: AA

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot në Beograd Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Farhan Al-Saud, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, industrisë ushtarake, energjisë, e veçanërisht në sferën e burimeve të energjisë së rinovueshme.
Nga zyra e presidentit thuhet se Vuçiq e falënderoi mysafirin për vizitën e parë dypalëshe të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite në Beograd dhe shtoi se Serbia është e interesuar për thellimin e bashkëpunimit me mbretërinë, të cilën e sheh si një partner potencialisht të rëndësishëm.
Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, bashkëbiseduesit u pajtuan se ekzistojnë potenciale të shumta të pashfrytëzuara për zhvillimin e partneritetit në fushën e bujqësisë, të turizmit, të ndërtimit, të sektorit të IT-së e të energjisë, si dhe në sferën e burimeve të rinovueshme të energjisë, gjë që u diskutua konkretisht në takim.
Bashkëbiseduesit theksuan edhe fushat e bashkëpunimit ushtarako-ekonomik, ushtarako-mjekësor dhe ushtarako-arsimor, të cilat duhet të forcohen dhe të përmirësohen më tej në periudhën e ardhshme.
Duke treguar për kompanitë e shumta të mëdha botërore që operojnë me sukses në Serbi për një kohë të gjatë, Vuçiq ftoi biznesmenë dhe investitorë nga Arabia Saudite që të investojnë në Serbi dhe të marrin pjesë në projekte të përbashkëta me biznesmenët e tyre.
Al-Saud shtoi se komuniteti i biznesit është një faktor kyç në ndërtimin e marrëdhënieve të mira midis vendeve dhe shprehu interes për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Po ashtu, bashkëbiseduesit ranë dakord se duhet bërë punë shtesë për të lidhur komunitetin e biznesit të të dy vendeve, si dhe organizimi i një samiti për biznes që do të bashkonte biznesmenë dhe investitorë të suksesshëm të cilët do të përmirësonin ndjeshëm marrëdhëniet ekonomike midis Serbisë dhe Arabisë Saudite.
“Në takim u diskutuan gjithashtu mënyrat për përmirësimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe dhe ekonomike, si dhe dialogun politik në të gjitha nivelet, si bazë për lidhje dhe mirëkuptim më të thellë të ndërsjellë për çështjet me rëndësi në nivel dypalësh dhe shumëpalësh”, përfunduan nga kabineti i presidentit të Serbisë.

AA