Vendimi i Türkiyes për t'iu bashkuar padisë së Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është i rëndësishëm për ta mbajtur Izraelin përgjegjës, tha të mërkurën zëvendëspresidenti turk Cevdet Yilmaz.
"Dosja gjithëpërfshirëse e përgatitur nga vendi ynë është një iniciativë e rëndësishme për sa i përket sundimit të ligjit dhe dhënies llogari nga Izraeli. Shpresojmë që të shërbejë si shembull për vendet e tjera", tha Cevdet Yilmaz në rrjetin social X.
Ai shtoi se besimi në vlerat njerëzore, të drejtën ndërkombëtare dhe institucionet janë të lidhura ngushtë me mënyrën se si zhvillohet ky proces.
Sipas tij, Türkiye do ta ndjekë këtë rast derisa "kryeministri gjenocidal izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij, të cilët kanë masakruar 40.000 palestinezë të pafajshëm që nga tetori i kaluar, të marrin dënimin që meritojnë".
“Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë derisa të krijohet një shtet i pavarur palestinez me integritet territorial brenda kufijve të vitit 1967 dhe populli i shtypur palestinez të jetë i lirë”, tha ai.
Të mërkurën, Türkiye paraqiti një kërkesë në GjND për të marrë pjesë në procesin për gjenocid kundër Izraelit.
Kështu, Türkiye u bë palë në çështjen e gjenocidit, duke iu bashkuar Nikaraguas, Kolumbisë, Libisë, Meksikës, Palestinës dhe Spanjës, të cilat gjithashtu iu bashkuan Afrikës së Jugut, e cila fillimisht e inicioi çështjen në dhjetor të vitit të kaluar.
Dosja turke pritet të mbështesë argumentet e Afrikës së Jugut dhe të adresojë se si duhet të zbatohet Konventa e Gjenocidit ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza që nga 7 tetori.
Në shkelje të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me dënimin ndërkombëtar në mes të ofensivës së tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga grupi palestinez Hamas. Izraeli që atëherë ka vrarë rreth 40.000 palestinezë në Gaza dhe është akuzuar për gjenocid në GjND për fushatën e tij ushtarake.