Zvicra: Izraeli po i pushton Lartësitë e Golanit që janë pjesë e Sirisë           / Foto: AA

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, Pierre-Alain Eltschinger, deklaroi se sipas ligjit ndërkombëtar Izraeli ka pushtuar Lartësitë e Golanit dhe se këto janë pjesë e territorit të Sirisë.

Eltschinger iu përgjigj me shkrim pyetjeve të gazetarit të AA-së në lidhje me marrjen nën kontroll nga Izraeli të zonës tampon në Lartësitë e Golanit, të cilën e mban nën pushtim pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në Siri dhe lidhur me hyrjen e ushtrisë izraelite në territorin sirian duke kaluar këtë rajon.

"Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, Izraeli po pushton Lartësitë e Golanit dhe këtu ai nuk ka sovranitet. Lartësitë e Golanit janë pjesë e territorit të Sirisë", deklaroi Eltschinger duke shtuar se Zvicra beson se ligji ndërkombëtar humanitar, veçanërisht Konventa e Katërt e Gjenevës e 12 gushtit 1949 dhe ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut janë të zbatueshme.

Ai vuri në dukje se Konventa e Katërt e Gjenevës mbron popullsinë civile dhe specifikon të drejtat dhe detyrimet e Izraelit si një fuqi pushtuese.

"Zvicra rregullisht potencon se ligji ndërkombëtar humanitar duhet të respektohet plotësisht në të gjitha rrethanat", tha Eltschinger duke i ftuar të gjitha palët në konflikt të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit të të drejtave të njeriut.

"Marrëveshja e Ndarjes së Forcave të vitit 1974 midis Izraelit dhe Sirisë duhet të respektohet gjithmonë. Kjo u theksua për herë të fundit në rezolutën 2737 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", thotë Eltschinger.

Pushtimi i zonës tampon në Siri nga Izraeli

Ushtria izraelite hyri në zonën tampon në Lartësitë e pushtuara të Golanit në përputhje me udhëzimet e kryeministrit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yisrael Katz.

Në deklaratën e tij në Lartësitë e Golanit, Netanyahu tha se "pushtimi është i përkohshëm".

Ushtria izraelite ndau me opinionin publik pamjet e ushtarëve dhe automjeteve të saj të blinduara që pushtuan zonën tampon në Golan.

Izraeli mban nën pushtim Lartësitë e Golanit të Sirisë që nga viti 1967. Kufijtë e zonës tampon dhe zonës së demilitarizuar u përcaktuan me Marrëveshjen e Ndarjes së Forcave të nënshkruar midis Izraelit dhe Sirisë në vitin 1974.

TRT Balkan / agjencitë