Dy zyrtarë të lartë nga Hamasi i Palestinës kanë vizituar kryeqytetin e Sirisë në vizitën e parë të tillë që kur lëvizja u detyrua të largohej nga vendi i shkatërruar nga lufta një dekadë më parë për shkak të mbështetjes së forcave të armatosura të opozitës.
Vizita e së mërkurës duket të jetë hapi i parë drejt pajtimit të plotë midis Hamasit dhe regjimit sirian dhe pason ndërmjetësim prej muajsh nga Irani dhe Hezbollahu i Libanit – të dy mbështetësit kryesorë të Bashar al Asadit.
“Ne po rivendosim marrëdhëniet tona me Sirinë me konsensusin e lidershipit tonë,” tha në një konferencë shtypi udhëheqësi i lartë i Hamasit, Khalil al Hayya.
“Ne e kemi kapërcyer të kaluarën,” tha ai, duke e cilësuar takimin me Asadin si “historik” dhe “pozitiv”.
Hayya e përshkroi takimin si një “përgjigje të natyrshme ndaj skemave izraelite kundër kauzës palestineze”.
“Ne jemi një komb i bashkuar dhe rezistencë përballë projekteve sioniste”, tha ai.
Sipas tij, Siria mbështet kauzën dhe palestinezët dhe ata e kanë siguruar presidentin Asad se jemi me një Siri të bashkuar.
Hayya tha se Türkiye dhe Katari, mbështetësit kryesorë të opozitës në luftën civile të Sirisë, ishin të informuar për vendimin e Hamasit për të rivendosur lidhjet me Asadin.
Përveç Hayas, zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan ishte në mesin e disa zyrtarëve që përfaqësonin fraksione të ndryshme palestineze, të cilët u pritën nga Asadi.
Gjatë viteve, Teherani dhe Hezbollahu i kanë ruajtur marrëdhëniet e tyre me Hamasin, pavarësisht përçarjes së Asadit me lëvizjen palestineze që qeveris Gazën.
Përpara luftës civile, që nga viti 1999, Hamasi kishte mbajtur prej kohësh një bazë politike në Siri, duke marrë mbështetjen e Damaskut në fushatën e tij kundër Izraelit.
Udhëheqja e fuqishme e Hamasit në mërgim mbeti në Siri edhe pasi grupi mori pushtetin në Gaza në 2007.
Turneu në Siri vjen pasi Hamasi nënshkroi një marrëveshje pajtimi me Fatahun e Palestinës në Algjeri javën e kaluar, duke u zotuar të mbajë zgjedhje deri në tetorin e ardhshëm në një përpjekje për të zgjidhur një përçarje 15-vjeçare.
Normalizimi i marrëdhënieve
Muajin e kaluar, Hamasi tha se do të vazhdojë përpjekjet për t’i normalizuar marrëdhëniet me regjimin sirian.
“Afrimi i ri është një njohje e vonuar nga ana e Hamasit që të gjitha rrugët drejt vazhdimit të ndihmës iraniane të çojnë në Damask,” tha Fawaz Gerges, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i politikës së Lindjes së Mesme në London School of Economics.
“Hamasi mori vendimin. Fitimi politik i Asadit është humbja morale e Hamasit".
Al Hayya e ka vizituar rregullisht Bejrutin gjatë viteve, duke u takuar me liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah; Takimi i tyre i fundit ishte në gusht.
Asadi i tha delegacionit palestinez se “me gjithë luftën që po i nënshtrohet Sirisë, ajo nuk e ndryshoi qëndrimin e saj për të mbështetur rezistencën me të gjitha format”, njoftoi agjencia e lajmeve SANA.
Ai shtoi se Siria “që të gjithë e dinin para dhe pas luftës, nuk do të ndryshojë dhe do të vazhdojë si një mbështetëse e lëvizjeve të rezistencës”.
Rivendosja e një baze në Damask nga Hamasi do të shënonte ribashkimin e tij me të ashtuquajturin “bosht të rezistencës” të udhëhequr nga Irani, ndërsa Teherani po punon për të mbledhur aleatë në një kohë kur kanë ngecur bisedimet me fuqitë botërore mbi programin bërthamor të Iranit.
Gjatë viteve të fundit, forcat e regjimit sirian kanë kapur një pjesë të madhe të Sirisë me ndihmën e mbështetësve kryesorë të Asadit, Rusisë dhe Iranit.
Konflikti 11-vjeçar ka vrarë qindra mijëra, ka shkatërruar pjesë të mëdha të vendit dhe ka zhvendosur gjysmën e popullsisë së paraluftës të Sirisë prej 23 milionë, duke përfshirë më shumë se pesë milionë refugjatë jashtë vendit, me gati katër milionë të pritur vetëm nga Türkiye.
20 Tet 2022
Zyrtarët e Hamasit vizitojnë Sirinë për të rivendosur lidhjet me Asadin
“Ne po rivendosim marrëdhëniet tona me Sirinë me konsensusin e lidershipit tonë,” u tha medieve udhëheqësi i lartë i Hamasit, Khalil al Hayya, në kryeqytetin sirian Damask.
TRT World
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Pse fitorja e Trumpit mund të ndikojë pozitivisht në tregjet financiare?
Bitcoin dhe aksionet po fluturojnë pas zgjedhjeve në ShBA, duke regjistruar nivele të larta të performancës. Por, çfarë është ajo që e ka bërë fitoren e Trumpit të perceptohet si një mundësi pozitive për ekonominë dhe tregjet financiare?
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore