Zyrtarët izraelitë kanë kritikuar presidentin e ShBA-së, Joe Biden, pasi ai vendosi të vonojë dërgesat e armëve në Izrael për shkak të ofensivës izraelite në qytetin Rafah në Rripin e Gazës jugore.
"Izraeli do të vazhdojë të luftojë Hamasin deri në shkatërrimin e tij", shkroi ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Israel Katz, në rrjetet sociale duke reaguar dukshëm ndaj vendimit të presidentit amerikan.
"Nuk ka luftë më të drejtë se kjo", shtoi ai në lidhje me ofensivën vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë të paktën 34.900 palestinezë pas sulmit ndërkufitar të Hamasit tetorin e vitit të kaluar.
Gjithashtu, edhe ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, shkroi një koment sarkastik për vendimin e presidentit Biden.
"Hamasi (e do) Bidenin", shkroi ai në rrjetet sociale.
Ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bazalel Smotrich, bëri thirrje për vazhdimin e luftës izraelite në Rripin e Gazës. "Ne duhet ta vazhdojmë këtë luftë deri në fitore, pavarësisht kundërshtimit të administratës së Bidenit dhe ndalimit të dërgesave të armëve", tha ai.
Smotrich pretendon se Izraeli "nuk ka zgjidhje tjetër".
Dje në një intervistë për CNN, Biden tha se ai ndaloi dërgesat e armëve për Izraelin për shkak të ofensivës izraelite në Rafah, ku rreth 1,5 milion palestinezë të zhvendosur janë strehuar nga lufta e vazhdueshme e Izraelit në Rripin e Gazës.
"E bëra të qartë se nëse ata shkojnë në Rafah, nuk kanë shkuar ende në Rafah, nëse shkojnë në Rafah, unë nuk do t'i furnizoj me armët që janë përdorur historikisht për t'u marrë me Rafahun, për t'u marrë me qytetet, që merren me atë problem", tha Biden.
Ai pranoi se armët amerikane janë përdorur për të vrarë civilë në Gaza. Presidenti amerikan shtoi se veprimet e Izraelit në Rafah deri më tani nuk kanë kaluar ende asnjë "vijë të kuqe" që do ta shtynte atë të rishikonte politikën e tij për Gazën.
Mbi shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se "besohet" se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.