Zyrtari palestinez: Izraeli zgjeron agresionin e tij në Bregun Perëndimor.    /Foto: AA

Zëdhënësi i presidentit palestinez, Nabil Abu Rudeineh, ka deklaruar se Izraeli po zgjeron agresionin e tij të Rripit të Gazës në Bregun Perëndimor dhe Kuds, duke shënjestruar sa më shumë palestinezë.

Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raporton se Abu Rudeinah i bëri komentet në një konferencë për media.

"Izraeli e ka zhvendosur agresionin e tij të plotë kundër popullit tonë palestinez të Gazës në Bregun Perëndimor, ku sot vrau dhe plagosi dhjetëra njerëz tanë. Izraeli synon të vrasë dhe të zhvendosë sa më shumë palestinezë dhe të likuidojë kauzën palestineze", tha Abu Rudeinah.

Duke vendosur në pikëpyetje pozicionin e administratës amerikane për sulmet e Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor, ai u shpreh se, "Bombardimi i qytetit Jenin dhe kampit të tij me raketa dhe avionë, si dhe vrasja e dhjetëra njerëzve tanë, përfshirë fëmijë dhe gra, a bie në kategorinë e vetëmbrojtjes apo është agresion brutal, gjenocid, vrasje dhe zhvendosje?".

Abu Rudeinah u bëri thirrje samiteve të ardhshme arabe dhe islame që të marrin vendime që janë "proporcionale me shkallën e këtij agresioni izraelit kundër popullit palestinez".

Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës lëshoi një deklaratë ku dënoi "në termat më të ashpër agresionin brutal dhe sulmet e kryera nga forcat pushtuese kundër popullit tonë në përgjithësi dhe kundër Jeninit, kampit të tij dhe qyteteve të tij në veçanti".

"Autoritetet pushtuese po praktikojnë ndëshkimin kolektiv ndaj njerëzve tanë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar dhe po përpiqen të imponojnë ndryshime të reja në realitet me forcë, në një mënyrë që i shërben hartës së tyre të interesave koloniale", thuhet në deklaratën e ministrisë.

Në deklaratë po ashtu akuzohet Izraeli se po përpiqet "të shpërthejë situatën në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe ta detyrojë atë në një spirale të pakontrollueshme dhune" dhe të çojë në ndryshimin e realiteteve në terren, duke përfituar nga preokupimi global me luftën në Gaza.

Ministria palestineze i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që "të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar agresionin e pushtimit kundër popullit tonë dhe për të detyruar shtetin pushtues t’i nënshtrohet vullnetit ndërkombëtar për paqe dhe t’i japë fund pushtimit të tokës së shtetit të Palestinës para se të jetë tepër vonë".

Dje, në Bregun Perëndimor 18 palestinezë u vranë nga zjarri i ushtrisë izraelite, duke e rritur në 181 numrin e vdekjeve në territorin e pushtuar që nga shpërthimi i konfliktit të fundit.

Izraeli kryen bastisje të përditshme ushtarake në qytete të ndryshme të Bregut Perëndimor në mes të dhunës në rritje të kolonëve.

AA