Qyteti i Jeninit, i vendosur në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, është kthyer në zonë fatkeqësie për shkak të sulmeve dhe shkatërrimit të ushtrisë izraelite që po vazhdojnë prej gjashtë ditësh.
Ali Zekarna, anëtar i Komisionit të Zonimit të Jeninit, foli për Anadolu për shkatërrimin dhe dëmin e shkaktuar nga ushtria izraelite në qytet dhe kampin e refugjatëve.
"Jenini u shkatërrua. Rreth 70 për qind e pjesës lindore të qytetit dhe kampit të refugjatëve u shkatërruan," tha Zekarna.
Duke theksuar se shkatërrimi është në mënyrë të paimagjinueshme i madh, Zekarna theksoi se forca e institucioneve lokale, private dhe shtetërore do të jetë e pamjaftueshme për rindërtim.
Ai tha se është ende e pamundur të përcaktohet plotësisht shkalla e shkatërrimit në Jenin.
"Ushtria izraelite shkatërroi gjithë infrastrukturën në kampin e refugjatëve. Uji dhe energjia elektrike u ndërprenë, sistemi i kanalizimit u dëmtua plotësisht. Shkalla e shkatërrimit është vërtet e madhe, e papërshkrueshme", tha Zekarna.
Ai tha se Jenini është kthyer në zonë të plotë fatkeqësie.
Ai u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe të Kombeve të Bashkuara që të vijnë në qytet dhe të shohin shkatërrimin në vend.
“Të paktën 400.000 njerëz blenin në tregun në qendër të Jeninit”, tha Zekarna, duke deklaruar se nuk ka asnjë justifikim për shkatërrimin e shkaktuar nga ushtria izraelite në treg.
Ai gjithashtu theksoi se spitali është në bllokadë, se rryma, uji dhe gazi janë të fikur, si dhe mungojnë barnat.
Zekarna vuri në dukje se shumë njerëz janë zhvendosur në qytet.
Më 28 gusht, Izraeli njoftoi se kishte nisur sulmin e tij më intensiv dhe gjithëpërfshirës që nga viti 2002, të quajtur "Kampet Verore", në kampet e refugjatëve në qytetet Jenin, Tulkarem dhe Tubas në Bregun Perëndimor të pushtuar verior.
29 palestinezë u vranë në këto sulme, 17 prej tyre në Jenin.
Një numër i madh u plagosën, e mes tyre ka edhe të cilët janë në gjendje kritike për jetën.