Gjurmë të reja të qytetit ilir në Bushat të Shkodrës / Photo: ATA

Një gërmim 4 -javor të drejtuar nga prof. as. Saimir Shpuza i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe prof. Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës në Poloni, në bashkëpunim me arkeologun e DRTK Shkodër, Helidon Sokoli, zbuloi të dhëna të reja mbi qytetin ilir në Bushat të Shkodrës.

Në fushatat e mëparshme të këtij gërmimi u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit, gjë që lejoi të kuptohej shtrirja e tij.

Me qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti, gërmimet e këtij viti janë përqendruar në qytetin e sipërm.

Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek 4 p.k., sipas datimeve paraprake.

Aktiviteti në terren, ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë pasur.

Këto kërkime shqiptaro-polake në Bushat mendohet të vazhdojnë për disa vite në përpjekje për të thelluar rezultatet sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti.

Ndërkohë, falë bashkëpunimit mes Misionit Arkeologjik dhe DRTK Shkodër, po hartohet dosja teknike për shpalljen “Zonë e mbrojtur arkeologjike” A dhe B, duke plotësuar kështu hartën arkeologjike të arealit të Shkodrës edhe me një qytet antik dhe sit arkeologjik të vizitueshëm në të ardhmen.

Misioni Shqiptaro-Polak hulumton në gjurmët e Shkodrës antike që prej vitit 2011.

Ndër vite janë zbuluar artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët të tij.

ATA