Rikthehet lundrimi në liqenin e Shkodrës, pajiset me varka turistike / Photo: ATA

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, përmes publikimeve me pamje nga liqeni ka bërë të ditur që tanimë në liqenin e Shkodrës, qytetarët dhe turistët do të kenë mundësi të lundrojnë dhe të përjetojnë bukuritë e natyrës së Shkodrës.

Falë mbështetjes nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Qeverisë Shqiptare, dy varkat e para turistike me kapacitet prej 33 personash janë vendosur pranë molit të Shkodrës, duke u bërë kështu një pikë atraksioni për turistët.

Beci, ne në intervistë për mediat, u shpreh i lumtur për këtë hap të parë që synon rikthimin e lundrimit elitar në Liqenin e Shkodrës.

Tradita e lundrimit në liqenin më të madh në Ballkan është mjaft e hershme dhe ka qenë pjesë e pandarë e kulturës dhe idenditetit të rajonit.

Përgjatë liqenit dhe lumit Buna ka nisur krijimi i tri moleve nga ku edhe varkat do të jenë pjesë e këtij rrjeti ndërhyrjesh për rikthimin e traditës së lundrimit në Shkodër.

Molet në Shirokë dhe Zogaj kanë përfunduar, ndërkohë që me përfundimin e molit pranë Urës së Bunës, do të krijohet një rrjet molesh për të ndihmuar në ankorimin e varkave turistike dhe për të rikthyer aktivitetin e lundrimit elitar në këtë pasuri ujore të Shkodrës, duke e bërë atë një resurs të vlefshëm për turizmin.

ATA