Gjendja me shiun e rrëmbyeshëm i cili solli dëme të mëdha dhe shkaktoi vdekjen e dy personave në Shqipëri, dalngadalë sipas ministrit të mbrojtjes Niko Peleshi ka filluar të përmirësohet.
Ai theksoi se gjatë orëve të fundit ka pasur një përmirësim të konsiderueshëm të situatës nga reshjet intensive që përfshinë vendin duke nisur nga data 20 nëntor.
“Menjëherë pas marrjes së të dhënave mbi parashikimin e motit nga IGJEUM dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, Agjencia e Mbrojtjes Civile ka njoftuar pushtetin vendor, veçanërisht bashkitë më të rrezikuara nga reshjet e shiut që kanë qenë të një sasie të konsiderueshme. Në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Mbrojtjes Civile thirra edhe mbledhjen e Komitetit ku të ftuar ishin edhe kryetarët e bashkive, prefektët e zonave me risk, me të cilët rakorduam planin e masave për të përballuar pasojat”, tha ministri.
Peleshi informoi se prej ditës së parë janë angazhuar në terren 570 Forca të Armatosura, 495 forca zjarrfikëse, 400 forca nga Policia Shtetit, 315 forca vullnetare, si dhe ekipet e shërbimit mjekësor.
Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, Peleshi informoi se “reshjet e shiut kanë vazhduar me intensitet të ulët gjatë natës dhe të lokalizuara”.
“Ka rënë ndjeshëm sipërfaqja e tokës e mbuluar nga uji në qarkun e Shkodrës. Sot janë 1685 hektarë tokë nën ujë dhe vazhdon tërheqja, nga 4346 ha që ishte dje në darkë. Aktualisht janë vetëm 26 familje me 99 anëtarë të evakuuar, nga 52 familje dhe rreth 318 banorë që ishin dje. Të tjerët janë kthyer në banesat e tyre”, tha ai.
Opozita kërkon shpalljen e gjendjes së jashëzakonshme
Nga ana tjetër kryetari i grupit parlamentar të opozitës, Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territoret e përmbytura të Shkodrës.
Në një konferencë me një grup deputetësh nga Kryesia e Kuvendit, Alibeaj shpjegoi edhe nga ana ligjore arsyet se përse duhet të shpallet “gjendja e fatkeqësisë natyrore”.
Ai tha se arsyeja më e rëndësishme se për se duhet të shpallet gjendja e emergjencës është edhe për dëmshpërblimin financiar të të prekurve.
“Situata e reshjeve të ditëve të fundit ka shkaktuar problematika të rënda në zona të ndryshme të qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Si pasojë e përmbytjeve janë dëmtuar arat me të mbjella, bagëtitë, shtëpitë e qytetarëve, pasuri të trashëgimisë kulturore, si rasti i Urës së Bahçallëkut në Shkodër. Por, ajo që e bën më të rëndë situatën është dëmtimi i shëndetit dhe jetës së qytetarëve, siç ishte rasti i tragjik i humbjes së jetës së dy qytetarëve, babë e bir, në Malësinë e Madhe”, tha Alibeaj.
Nisur nga ky bilanc tragjik për shëndetin, jetën, pronat dhe pasuritë e qytetarëve të këtyre zonave, opozita vlerëson se përmbushen kriteret kushtetuese dhe ligjore për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.