Nënkomisioni për Diasporën dhe Migracionin në Kuvendin e Shqipërisë organizoi një seancë dëgjimore me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të diskutuar rreth përgatitjeve lidhur me procesin e votimit për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Gjatë seancës fokusi ishte në çështjet në lidhje me përgatitjet dhe vendimet e KQZ-së për këtë proces.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, u shpreh se procesi i përgatitjeve për votimin nga jashtë ka shkuar në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor.
"Komisioni Rregullator pranë KQZ-së ka miratuar pothuajse të gjitha aktet kryesore me qëllim realizimin e votimit nga jashtë. Kemi miratuar aktin që ka të bëjë me rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë dhe me përgatitjen e listës së zgjedhësve. Kemi miratuar aktin që ka të bëjë me miratimin e listës së dokumentacionit që kërkohet për të vërtetuar adresën e votuesit nga jashtë", deklaroi Celibashi.
Ai shtoi se janë miratuar gjithashtu rregullat për procedurat e votimit dhe se është hartuar një program i dedikuar për edukimin, informimin dhe ndërgjegjësimin e votuesve jashtë vendit.
"Jemi duke punuar për aspekte të tjera të karakterit organizativ dhe logjistik të zhvillimit të këtij procesi. Gjithë procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë i është nënshtruar një konsultimi të gjerë me partitë politike, me organizatat e shoqërisë civile dhe me këdo aktor tjetër të interesuar për këtë proces", u shpreh Celibashi.
Procesi i regjistrimit të shtetasve shqiptarë jashtë vendit, me të drejtë vote, pritet të nisë më 11 janar 2025. Ky hap përgatitor bëhet në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 11 maj 2025.
Për herë të parë, shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet parlamentare, ndërsa KQZ-ja dhe institucionet e tjera vazhdojnë përgatitjet për këtë proces të rëndësishëm.