Shqipëri, KQZ-ja diskuton rregullat për zgjedhësit jashtë vendit / Photo: AA

Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë ka diskutuar në mbledhjen e sotme mbi projektvendimin "Për miratimin e rregullave për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve".

Projektvendimi është hartuar në mbështetje të ndryshimeve të fundit Kodit Zgjedhor të Shqipërisë, me qëllim përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Sipas relacionit të KQZ-së, procedurat për regjistrimin dhe votimin nga jashtë vendit duhet të jenë efektive, duke synuar që vota e çdo shtetasi të realizohet në kohë dhe pa pengesa të panevojshme.

Gjithashtu, theksohet se çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, pavarësisht vendndodhjes së tij jashtë territorit të Shqipërisë, duhet të ketë mundësi të barabarta për të votuar.

Ndërkohë, projektvendimi përcakton gjithashtu rregulla të përgjithshme sa i takon procesit të regjistrimit të zgjedhësve dhe institucionit kompetent për të administruar këtë proces.

Diskutimet për këtë projektvendim kanë vazhduar për disa orë, ndërkohë në një nga mbledhjet e ardhshme pritet të miratohet. Sipas Kodit Zgjedhor të Shqipërisë, zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.

TRT Balkan / agjencitë