Pensionistët në Shqipëri sërish në protestë, kërkojnë rritjen e pensioneve                    Foto: AA

Pensionistët në Shqipëri kanë protestuar sërish sot duke kërkuar rritje të pensioneve dhe përmirësim të shërbimeve sociale.

Të mbledhur në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", përpara Kryeministrisë, dhjetëra pensionistë, të mbështetur nga aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë, ngritën zërin për kërkesat e tyre.

Me pankartat me mbishkrime "Pensionistët nuk kërkojnë bonuse, por pensione dinjitoze", "Punuam gjithë jetën, përsëri bosh e kemi kuletën", "Hiqni dorë nga korrupsioni, të rritet pensioni", pensionistët kërkuan "pensione dinjitoze dhe miratimin e një minimumi jetik".

Protestës iu bashkua edhe një grup ish-minatorësh, të cilët kërkojnë nga Kuvendi miratimin e një ligji për statusin e minatorit, duke siguruar kushte më të mira sociale për këtë kategori të veçantë.

Kjo protestë u organizua me mbështetjen e organizatave dhe grupimeve që përkrahin të drejtat e pensionistëve, duke ngritur nevojën për politika më të drejta sociale dhe ekonomike për ta.

Rritja e pensioneve dhe bounsi i fundvitit

Qeveria e Shqipërisë në shtator të vitit 2024 miratoi një vendim për indeksimin e pensioneve me 4,1 për qind, rritje që kundërshtohet nga disa grupime të pensionistëve.

Sipas të dhënave të autoriteteve shqiptare, nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë vendim përfitojnë rreth 791.257 përfitues që marrin pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara dhe pensione të parakohshme të pleqërisë, pensione të invaliditetit, pensione familjare si dhe pensione që rrjedhin nga skema suplementare dhe trajtimet e veçanta.

Ndërkohë, më 27 nëntor Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, miratoi bonusin e fundvitit për pensionistët, bonus që është kundërshtuar nga disa parti politike, organizata dhe grupime të pensionistëve.

Fondi për bonusin për pensionistët është 100 milionë euro, ndërkohë bonuset janë rreth 150 euro dhe 100 euro, sipas kategorisë së pensioneve.

TRT Balkan / agjencitë