Opozita në Shqipëri ka vijuar protestat sot para selisë së Kuvendit, ku po mbahet mes debatesh seanca plenare e radhës.
Protestuesit u kanë vënë flakën gomave para Kuvendit, teksa akuzonin qeverinë si të lidhur me trafikantë droge.
“Të shpëtojmë Parlamentin nga narkodeputetët, të shpëtojmë vendin nga narkoqeveria. Opozita i del zot çdo qytetari të tij. Rama ik”, ishin thirrjet e protestuesve.
Policia e Shtetit mori masat për mbarëvajtjen e protestës ndërsa efektivë u rreshtuan në hyrjen përpara Kuvendit. Deputetët hynë në sallë përpara nisjes së protestës duke shmangur përplasjet.
Fillimisht protestuesit kanë shtyrë policinë, e më pas kanë hedhur, përveç molotovëve, edhe gurë në drejtim të tyre. Protestuesit hodhën edhe fruta në drejtim të policisë.
Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, mori fjalën në protestë ku u shpreh se beteja e opozitës nuk do të ndalet derisa të rrëzohet kjo qeveri.
“Ky është një regjim i mbështetur në drogë, krim dhe korrupsion. U takon qytetarëve të marrin në dorë fatet e tyre. Të nderuar policë, hapni rrugën për qytetarët. Nuk keni përballë jush asnjë deputet të inkriminuar, asnjë ministër, ata i keni në qeveri. Bashkohuni me protestuesit”, tha Këlliçi.
Protesta e opozitës ka vijuar me përplasje të forta me policinë, ndërsa protestuesit u përpoqën të heqin kordonin e krijuar nga uniformat blu. Pamjet nga protesta tregojnë për përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë.
Anëtari i Rithemelimit, Klevis Balliu, u përplas me policinë ndërsa iu bashkua protestuesve në përpjekjen për të çarë kordonin e sigurisë.
Policia ka pasur gati mjetet e hedhjes së ujit për shpërndarjen e protestuesve në rast të përshkallëzimit të përplasjeve.
Përplasjet kanë vijuar edhe pas djegies së gomave, ndërsa ka pasur përplasje fizike me Policinë.
Protesta u thirr nga Rithemelimi pas episodit të dytë të RAI 3 për Shqipërinë.