Pentagoni ka njoftuar se Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka miratuar një shitje të mundshme të raketave Patriot në Gjermani për një kosto të vlerësuar prej 5 miliardë dollarësh.
Pentagoni tha se Gjermania ka kërkuar të blejë deri në 600 raketa “Patriot Advanced Capability-3 (PAC-3) Missile Segment Enhancement (MSE)”.
Dje, Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes dorëzoi certifikatën e kërkuar duke njoftuar Kongresin e ShBA-së për shitjen e mundshme.
"Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Gjermanisë për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme dhe për të rritur aftësitë mbrojtëse të ushtrisë së saj", thuhet në njoftimin e Pentagonit.
Pentagoni tha se shitja do të mbështesë qëllimin e Gjermanisë për të përmirësuar mbrojtjen kombëtare dhe territoriale, si dhe ndërveprimin me forcat e ShBA-së dhe NATO-s.
Ata theksuan se kontraktori kryesor do të jetë “Lockheed Martin” në Dallas.