Në sondazhet e para të kryera pas tërheqjes së presidentit amerikan Joe Biden nga gara për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris ka një epërsi të lehtë ndaj ish-presidentit Donald Trump.
Sondazhi i Reuters/Ipsos tregon se Harris kryeson Trump me 44 për qind në 42 për qind, me një diferencë gabimi prej tre pikë përqindjeje.
Revista “Forbes” shkruan se avantazhi i Kamala Harris rritet në 42 kundrejt 38 për qind kur përfshihet kandidati i pavarur Robert F. Kennedy Jr.
Në sondazhet e mëparshme, Trump kishte një avantazh minimal ose ishte i barabartë me Kamal Harris.
Për shembull, një sondazh i mëparshëm i Reuters/Ipsos nga 15-16 korriku kishte të dy kandidatët të barabartë me 44 për qind të të anketuarve.
Perceptimi publik i mprehtësisë mendore të Harrisit është jashtëzakonisht pozitiv, me 56 për qind të të anketuarve që miratojnë aftësinë e saj për të përballuar sfidat, krahasuar me 49 për qind për Trumpin dhe vetëm 22 për qind për Bidenin.