ShBA-ja: Protesta e mijëra demonstruesve propalestinezë në Çikago / Photo: AA

Ndërsa zhvillohet Kongresi i Partisë Demokratike në Çikago, mijëra demonstrues marshuan drejt zonës ku po mbahet kjo ngjarje, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe ndërprerjen e mbështetjes së armëve amerikane për Izraelin.

Konventa e Partisë Demokratike filloi të hënën dhe protestuesit po kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) t'i japin fund mbështetjes së tyre për Izraelin dhe të pezullojnë ndihmën e armëve të ShBA-së për Izraelin.

Demonstruesit janë takuar në Parkun Union në qendër të qytetit, kanë brohoritur për pak kohë dhe më pas janë drejtuar drejt qendrës ku mbahet Kongresi.

Demonstruesit bërtisnin slogane: "Liri Palestinës" dhe "Stop gjenocidit".

Policia e Çikagos ndërhyri fuqishëm kundër protestuesve dhe mori masa të gjera sigurie.

Hatem Abudayyeh, një zëdhënës i Koalicionit për Drejtësi për Palestinën, tha se njerëzit treguan solidaritetin e tyre me Gazën.

"Mesazhi im për liderët e Partisë Demokratike është i qartë - ju jeni gjithashtu palë e këtij krimi dhe jeni përgjegjës. Më shumë se 40 mijë palestinezë janë vrarë, mund të ketë më shumë. Gjaku i këtyre njerëzve është në duart e tyre", tha ai.

Protestuesja Noura Ibrahim, me origjinë palestineze, tha se ShBA-ja duhet të vendosë menjëherë një embargo armësh ndaj Izraelit dhe të ndërmarrë hapa për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

TRT Balkan / agjencitë