Konferenca ndërministeriale e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka mbledhur në Shqipëri zyrtarë të ministrive të brendshme dhe zyrtarë të tjerë nga vendet e rajonit dhe më gjerë për të diskutuar temën "Bashkëpunimi për sigurinë dhe flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor".
Diskutimet mbi menaxhimin e integruar të kufijve e flukseve migratore, si dhe thellimi i bashkëpunimit rajonal e më gjerë në luftën kundër krimit të organizuar janë në fokus të takimit ndërministerial që po zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, u shpreh në fjalimi e tij përshëndetës se asnjë vend në rajon nuk mund të trajtojë i vetëm sfidat e migracionit të paligjshëm dhe, sipas tij, kjo konferencë nënkupton angazhimin e përbashkët për zgjidhjet bashkëpunuese në këtë drejtim.
Ministri Balla theksoi po ashtu se në vitet e fundit Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit kanë mbrojtur vlerat dhe praktikën e bashkëpunimit rajonal, sipas tij duke arritur rezultate të prekshme për qytetarët, siç janë marrëveshjet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për lëvizjen e lirë, si dhe duke përballuar flukset migratore.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është një prej korridoreve kyçe që është dëshmitar i këtyre flukseve të parregullta masive të migracionit, me qindra mijëra qytetarë kaluan tranzit në këtë rajon në 2023-shin. Në 2024-ën pritet që e njëjta prirje të ndodhë”, tha gjatë konferencës Ministri Kundër Emigracionit të Paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, Michael Tomlinson.
Ministri britanik tregoi se përgjigjja ndaj këtyre sfidave është një bashkëpunim më i madh mes vendeve.
Sipas Tomlinsonit, puna e përbashkët e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë përgjatë 18 muajve të fundit për uljen e 90 për qind të hyrjeve të emigrantëve e ka frymëzuar.
“Po ashtu, kemi investuar në programet që synojnë të sigurojnë që qytetarët të kenë një jetë të qëndrueshme dhe të lumtur këtu në Shqipëri.” shtoi ai.
Më tej, Tomlinson u shpreh se “do të nënshkruhet edhe një marrëveshje me ministrin e Kosovës Xhelal Sveçla që edhe Kosova të bëhet pjesë e kësaj taskforce”.
Ndërkaq, ministri Balla nënvizoi se përmes partneritetit me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) kanë arritur të rrisin ndjeshëm efektivitetin e operacioneve kufitare, të trajnojmë personelin tonë dhe të modernizojmë pajisjet dhe metodat e kontrollit kufitar.
Sipas ministrit Balla, me të gjitha masat e ndërmarra, çështja e migrimit të parregullt përmes Ballkanit Perëndimor mbetet sfidë e vazhdueshme.