Trump kryeson ndaj Harrisit në sondazhet e fundit presidenciale të ShBA-së / Photo: AP

Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në ShBA, sondazhet më të fundit tregojnë se ish-presidenti Donald Trump kryeson ndaj nënpresidentes Kamala Harris, me ekonominë që luan një rol në vendimet e votuesve.

Një sondazh i publikuar të enjten nga “All America Economic Survey” nga CNBC tregoi se Trump kryeson ndaj Harrisit me 48 për qind kundrejt 46 për qind në shkallë kombëtare, me një shkallë të mundëshëm gabimi prej 3,1 për qind.

Në shtatë shtetet e që konsiderohen kritike (Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pennsylvania dhe Wisconsin), Trump kryeson me 48 për qind kundrejt 47 për qind, me një kufi gabimi prej 4 për qind për këtë pjesë të sondazhit.

Ky sondazh theksoi se shumë votues e shohin ekonominë si çështjen më të rëndësishme, me një numër të konsiderueshëm që i besojnë Trumpit për ta trajtuar atë më mirë se Harris.

Sipas sondazhit të CNBC-së, 42 për qind e votuesve besojnë se do të ishin më mirë financiarisht nëse Trump zgjidhet, krahasuar me 24 për qind për Harris.

Rreth 29 për qind mendojnë se gjendja e tyre financiare do të mbetet e njëjtë pavarësisht se kush fiton. Në mënyrë të ngjashme, një sondazh i kryer nga “Financial Times” në bashkëpunim me Shkollën e Biznesit Ross të Universitetit të Michiganit dha gjetje të ngjashme.

Ai zbuloi se 44 për qind e votuesve i besojnë më shumë Trumpit për çështjet ekonomike, ndërsa 43 për qind mbështesnin Harrisin.

Sipas sondazhit, të pyetur se kush do t’i ndihmonte financiarisht, 45 për qind kanë zgjedhur Trumpin, ndërsa 37 për qind Harrisin.

Ndërkohë, “RealClearPolitics”, e cila ndjek sondazhet kombëtare dhe rajonale, ka gjetur se Harris kryeson me 0,3 pikë përqindjeje në mbarë vendin.

Megjithatë, Trump mban një epërsi prej 0,9 pikësh në shtatë shtetet kyç.

Një tjetër sondazh i fundit i “Wall Street Journal”, i publikuar të mërkurën, zbuloi se Trump kryeson me dy pikë përqindje përpara Harrisit në nivel kombëtar.

Sondazhi tregoi se Trump kryeson ndaj Harrisit me 47 për qind dhe kundrejt 45 për qind.

TRT Balkan / agjencitë