Numri i turistëve dhe natëqëndrimeve në Kantonin e Sarajevës në Bosnjë e Hercegovinë gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 është më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Bordit Turistik të Kantonit të Sarajevës.
“Sipas statistikave të deritanishme, është evidente se viti aktual 2024 mund të thyejë rekordet e mëparshme, pasi tashmë në gjysmën e parë të vitit kemi një rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin e kaluar”, tha Haris Fazlagiq, kryetar i Bordit Turistik të Kantonit të Sarajevës.
Sipas të dhënave statistikore të Bordit Turistik të Kantonit të Sarajevës, gjatë qershorit 2024, ardhjet e turistëve u rritën me 55 për qind, ndërsa 53 për qind më shumë fjetje u regjistruan krahasuar me qershorin 2023.
Rritje e numrit të turistëve dhe atyre të cilët qëndrojnë janë shënuar gjatë gjysmës së parë të vitit, kur 34 për qind më shumë turistë kanë vizituar Kantonin e Sarajevës dhe 30 për qind më shumë natë qëndrime krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në periudhën e përmendur më së shumti turistë ishin nga Arabia Saudite, Türkiye, Kroacia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Serbia, Sllovenia, Gjermania, Kina, Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kënaqësia dhe motivimi ynë i madh për punë më të mirë dhe më të suksesshme është fakti që Kantoni i Sarajevës po përjeton rimëkëmbje pas periudhës së vështirë të pandemisë së koronavirusit dhe inflacionit, që ndikoi ndjeshëm në industrinë e turizmit globalisht”, shtoi Fazlagiq.