Festohet “Dita e Republika Sërpskës”, reagojnë BeH dhe ndërkombëtarët / Foto: AA Arkiv

Përkundër kundërshtimeve dhe paralajmërimeve të ndërkombëtarëve, Republika Sërpska ka shënuar sot 9 janarin, të ashtuquajturën “Ditën e Republikës”. Për herë të parë një event i tillë është organizuar në Sarajevnë Lindore. Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e kishte shpallur si antikushtetuese këtë festë në 2 raste, por megjithatë autoritetet e Republika Sërpskës shënuan sot 9 janarin me disa ceremoni.

Presidentit të Republika Sërpskës, Millorad Dodik, iu bashkëngjit edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daciq, dhe përfaqësues të tjerë të Republikës së Serbisë.

Mes atyre që dorëzuan lule në përkujtimoren ushtarake “Mali Zejtinlik“ në Sokoc ishte edhe Darko Mlladiq, i biri i të dënuarit për krime lufte nga Gjykata e Hagës, Ratko Mlladiqit.

Reagime nga Sarajeva dhe ndërkombëtarët

Kremtimi i ditës së shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Republika Sërpskës në vitin 1992, që nisi edhe konfliktin e armatosur, e gjykuan autoritetet boshnjake në Sarajevë.

Anëtari i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq, bashkë me drejtorin e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, Emir Suljagiç, dënuan kremtimin e të ashtuquajturës Dita e RS-së, duke rikujtuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së, sipas të cilave kjo festë u konstatua jokushtetuese.

“Përkujtimi i ri i 9 janarit i organizuar në Sarajevën Lindore, e më parë edhe në Banja Llukë, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sipas ligjeve të Bosnjë e Hercegovinës, është vepër penale dhe për këtë arsye duhet të dënohet dhe parandalohet në të ardhmen. Mosndëshkimi inkurajon shkelje të reja të ligjit”, theksoi Beqiroviq.

Reagime erdhën edhe nga ndërkombëtarët. Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, tha të hënën se kremtimi i të ashtuquajturës Dita e RS-së mund të ketë pasoja.

"Përfaqësuesi i Lartë Christian Schmidt thekson edhe një herë se veprimet dhe aktivitetet e autoriteteve të Republikës Sërpska që shënojnë dhe festojnë Ditën e RS-së, 9 janarin, mund të kenë pasoja. Pjesëmarrja dhe prania e zyrtarëve publikë në festime të tilla është mosrespektim i qartë i Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës, si dhe mosrespektimi i hapur i kompetencave dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, të cilat janë përfundimtare dhe detyruese dhe duhet të respektohen nga të gjithë”, thuhet në reagimin e Schmidt.

Kundër festimit të 9 janarit ka reaguar edhe Ambasada e ShBA-së në Sarajevë.

“Bëhet fjalë për refuzimin e të gjitha vlerave euroatlantike dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në ligje. Gjithashtu, vendimi i Dodikut për të shënuar Ditën e RS më 9 janar është i paligjshëm. Shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese të BeH, e cila vendosi se kjo festë është jokushtetuese”, thuhet në reagimin e Ambasadës së ShBA-së.

TRT Balkan