Në mbarë botën, 13 shkurti festohet si Dita Botërore e Radios, e shpallur si e tillë në vitin 2011, prej shteteve anëtare të UNESCO-s. “Në këtë Ditë Botërore të Radios, ne festojmë jo vetëm historinë e radios, por edhe rolin e saj qendror në shoqëritë tona, tani dhe në vitet në vijim”, ka deklaruar Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s.
Sipas të dhënave të faqes së OKB-së, në nivel global, radio mbetet mediumi më i konsumuar. Kjo aftësi unike për të arritur audiencën më të gjerë do të thotë se radioja mund të formësojë përvojën e diversitetit të një shoqërie, të qëndrojë si një arenë ku të gjithë zërat të flasin, të përfaqësohen dhe të dëgjohen.
OKB-ja thotë se stacionet e radios duhet t’u shërbejnë komuniteteve të ndryshme, duke ofruar një shumëllojshmëri programesh, pikëpamjesh dhe përmbajtjesh, si dhe të pasqyrojnë diversitetin e audiencës në organizatat dhe operacionet e tyre.
Radioja është një medium me kosto të ulët, i përshtatshëm posaçërisht për të prekur komunitetet e largëta dhe kategoritë e prekshme, duke ofruar një platformë për të ndërhyrë në debatin publik, pavarësisht nga niveli arsimor i njerëzve. Radioja gjithashtu luan një rol vendimtar në komunikimin e urgjencës dhe lehtësimin e fatkeqësive.