Aktualisht po përballemi me një krizë të rëndë energjetike, e cila po kthehet gjithnjë e më shumë në krizë ekonomike, tha ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck.     Foto: Reuters

Aktualisht po përballemi me një krizë të rëndë energjetike, e cila po kthehet gjithnjë e më shumë në krizë ekonomike, tha ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck.

“Unë besoj fuqishëm se Putini do të dështojë në përpjekjen e tij për të destabilizuar rendin bazë ekonomik, në të njëjtën mënyrë që do të dështojë në fushën e betejës në Ukrainë. Këtë vit do të kemi një rënie të rritjes ekonomike krahasuar me parashikimin e muajit prill. Këtë vjeshtë parashikojmë një rritje prej 1.4%. Në prill të këtij viti, kjo shifër ishte 2.2%. Vitin e ardhshëm rritja do të arrijë në minus 0.4%, me fjalë të tjera, rritje negative, recesion”, deklaroi ai.

Në fund të shtatorit, Gjermania njoftoi një plan prej 200 miliardë dollarësh për të subvencionuar çmimet e energjisë për familjet dhe kompanitë deri në vitin 2024. Objektivi i masës është reduktimi i inflacionit në vitin 2023.

Para shpalljes së këtij plani, institutet kryesore ekonomike në Gjermani njoftuan se presin rritje të mëtejshme të inflacionit, në 8.8 për qind në vitin 2023.

“Inflacioni do të jetë 8 për qind këtë vit dhe 7 për qind vitin e ardhshëm”, tha Habek.

Rënia dhe më pas pezullimi i dërgesës së gazit rus në Gjermani në fillim të shtatorit, rëndon ekonominë e parë në Eurozonë. Gjermania, e cila para luftës merrte 55 për qind të furnizimeve të saj me gaz nga Rusia, duhej të siguronte gaz nga gjetkë, me çmime shumë më të larta.

Këto tensione kanë çuar në një shpërthim të çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike në Evropë, duke rritur inflacionin dhe koston e prodhimit në industrinë që nxit rritjen gjermane.

Kjo rezultoi në një dobësim të prodhimit industrial. Industritë me energji intensive dhe prodhimi i kimikateve, metalurgjia, prodhimi i letrës dhe qelqit janë goditja më e rëndë. Në këta sektorë, prodhimi ra me afro 9% nga muaji shkurt.

Berlini, megjithatë, dëshiron të jetë pozitiv në lidhje me zëvendësimin e furnizimeve nga Moska.

“Ne jemi në rrugën tonë të mirë për të zgjidhur problemin me importet ruse,” tha Habek.

Pasi diversifikoi furnizuesit e saj dhe iu drejtua Norvegjisë, Holandës ose ShBA-së, Gjermania po mbush rezervat e saj të gazit më shpejt se sa pritej, duke arritur në 94.67%, afër objektivit 95% të vendosur në fillim të nëntorit.

TRT Balkan