Greqia të hënën ka vënë sërish në pikëpyetje shitjen e mundshme të raketave ajër-ajër Meteor për Türkiyen nga një konsorcium evropian, duke përfshirë Francën, sipas mediave greke.
Duke folur në margjinat e një samiti për inteligjencën artificiale në Paris, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti francez Emmanuel Macron konfirmuan qëndrimin e tyre të përbashkët mbi çështjet e Mesdheut Lindor, si dhe qasjen e tyre të përbashkët mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, me fokus të veçantë në Sirinë, raportoi transmetuesi publik ERT.
Gjatë takimit, i cili zgjati rreth një orë, liderët diskutuan gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit strategjik, ku Mitsotakis e ngriti për herë të dytë brenda pak ditësh çështjen e shitjes së mundshme të raketave Meteor për Türkiyen.
Në një deklaratë për takimin midis Macron dhe Mitsotakis, Zyra e Presidentit Francez tha se strategjia e BE-së për inteligjencën artificiale ishte tema e parë e diskutuar.
Liderët gjithashtu diskutuan përshpejtimin e zbatimit të agjendës evropiane të konkurrencës pas raportit të Mario Draghit dhe Kompasit të Konkurrencës së BE-së, sipas deklaratës.
Pa përmendur çështjen e raketave, deklarata tha se Macron konfirmoi "angazhimin e Francës për partneritetin strategjik franko-helen si dhe për sigurinë e Greqisë".
Mbështetja për Ukrainën, e cila po përballet me luftë ndërsa afron përvjetori i tretë i saj, dhe zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme ishin gjithashtu pjesë e diskutimit në takim, shtoi deklarata.
Në përpjekjet e saj për të përmirësuar mbrojtjen ajrore, Türkiye është tashmë në negociata për të blerë deri në 40 avionë luftarakë EF-2000 Eurofighter, për të mbajtur flotën e saj ajrore të përditësuar përballë kërcënimeve rajonale në rritje.
Raportohet se raketat ajër-ajër Meteor janë të përfshira në pakon e lidhur me avionët Eurofighter që Türkiye po negocion për t’i blerë.
Greqia, e cila ka rritur blerjet e saj të armëve vitet e fundit, përfshirë modernizimin e flotës së saj të avionëve F-16 dhe blerjen e avionëve francezë Rafale, të cilët kanë të integruar raketat Meteor, kundërshton çdo shitje të këtyre raketave për Türkiyen.
Më 29 janar, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, njoftoi se kishte thirrur ambasadorin francez dhe atasheun ushtarak në Athinë për të nënvizuar kundërshtimin e fortë të vendit ndaj shitjes së këtyre raketave.
Më 4 shkurt, sipas mediave greke, Mitsotakis kërkoi detaje nga Macron mbi negociatat për shitjen e raketave për Türkiye gjatë takimit të tyre në margjinat e një samiti të BE-së në Bruksel.
Të premten, burime turke thanë se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pati një telefonatë me Macron, ku diskutuan përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin, mes çështjeve të tjera.