KE-ja propozon kornizë për futjen e euros digjitale.     /Foto: Reuters

Komisioni Evropian propozoi të mërkurën krijimin e një kornize për futjen e mundshme të euros digjitale dhe një propozim për të siguruar pranimin e detyrueshëm të pagesave me para në dorë për të larguar frikën e shumë njerëzve se monedha digjitale mund të zëvendësojë plotësisht paratë.

Komisioni propozoi gjithashtu që euros digjitale, një monedhë jomateriale, t'i jepet statusi i kursit ligjor në zonën e euros ku aktualisht vetëm kartëmonedhat dhe monedhat e euros e kanë këtë status.

"Propozimet e sotme do të sigurojnë gjithashtu që paratë e gatshme të mbeten plotësisht të qasshme, duke lejuar Bankën Qendrore Evropiane të zhvillojë aspektet praktike të euros digjitale me kalimin e kohës”, tha Zëvendëspresidenti Ekzekutiv i Komisionit Valdis Dombrovskis. Ai shtoi se pagesat digjitale në euro do të jenë "të sigurta dhe të mbrojtura, të menjëhershme dhe praktike - online dhe offline".

Euro digjitale do të ofronte mundësitë që ofrojnë edhe sot kartelat dhe aplikacionet, por edhe pagesa pa qasje në internet, gjë që nuk është e mundur me kartela ose aplikacione celulare. E ashtuquajtura euro digjitale offline do të mundësonte transaksione edhe pa lidhje interneti nëse pala tjetër në transaksion është fizikisht afër, qoftë person a dyqan. Kjo do të mundësonte edhe pagesën në zona të largëta me lidhje interneti jo të sigurt dhe në rast të mungesës së rrjeteve të komunikimit ose ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Organet legjislative në BE-së, Këshilli dhe Parlamenti janë përgjegjës për miratimin e kuadrit ligjor, por vendimi përfundimtar për futjen e euros digjitale merret nga Banka Qendrore Evropiane. Komisioni thekson se do të duhen disa vjet për të futur digjitalin, në çdo rast nuk do të jetë aty përpara vitit 2028. Euro digjitale do të ishte gjithashtu e barabartë me paratë e gatshme. Ndryshe nga aktivet kripto, euro digjitale do të ishte para e bankës qendrore. Banka Qendrore Evropiane do të garantonte se është e sigurt, se ka një vlerë të qëndrueshme dhe se mund të këmbehet me vlerë nominale me para në euro. Në të kundërt, kripto-asetet mund të luhaten ndjeshëm në vlerë dhe konvertimi i tyre në para në Euro nuk mund të garantohet.

Euroja digjitale do të mund të përdoret kudo në zonën e euros, pavarësisht se ku ndodhen paguesit dhe cilën bankë komerciale ose ofrues shërbimi pagese përdorin. Pagesa do të jetë e mundur në çdo kohë, 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.

Euro digjitale gjithashtu do t'u mundësojë njerëzve pa llogari bankare të bëjnë ose të marrin pagesa digjitale dhe të kenë qasje në funksionet bazë falas. Këto funksione do të përfshinin konvertimin e parave të gatshme në euro digjitale dhe anasjelltas. Aktualisht, rreth katër milionë njerëz në BE nuk kanë një llogari bankare, gjë që i vendos ata në një pozitë të pafavorshme, sepse nuk mund të përdorin, për shembull, shërbimet e tregtisë elektronike.

Komisioni thekson se euro digjitale do të përmirësonte privatësinë e përdoruesit dhe duke përdorur euron digjitale pa qasje në internet, privatësia e përdoruesit do të ishte e njëjtë me përdorimin e parave të gatshme.

Komisioni thekson se qëllimi i propozimeve është të sigurojnë që ata që dëshirojnë ta bëjnë këtë mund të paguajnë ende me para në dorë, në mënyrë që të parashikohet një detyrim ligjor për të pranuar para, i cili, ndër të tjerash, do të bënte të pamundur për kompanitë që në mënyrë të njëanshme të vendosnin pagesat pa para të gatshme.

Komisioni theksoi se euro digjitale nuk do të zëvendësojë paratë e gatshme, por do të jetë një tjetër mundësi pagese shtesë.

Euroja digjitale shqetëson bankat, të cilat kanë frikë nga një humbje e mundshme e madhe e të ardhurave nëse individët fillojnë të tërheqin masivisht depozitat e tyre nga llogaritë e tyre dhe t'i konvertojnë ato në euro digjitale, e cila, ndryshe nga kartëmonedhat dhe monedhat, nuk do të ishte në bilancet e tyre.

Prandaj, Komisioni propozon të kufizohet shuma që çdo individ mund të mbajë në monedhën digjitale.


TRT Balkan / agjencitë