Qeveria e Kosovës ndan 40 milionë euro shtesë për FSK-në. / Foto: AA

Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në mbledhjen e sotme ekzekutivi mori vendim edhe për shtesa të njëhershme prej 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët.

Krahas kësaj, qeveria miratoi disa projektligje dhe nisma për marrëveshje ndërkombëtare, derisa edhe ndau katër milionë euro për të mbështetur bujqit dhe bizneset për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e shtatorit të vitit të kaluar dhe janarin e vitit 2023.

Kryeministri Albin Kurti tha se me ndarjen prej 40 milionë eurove për FSK-në shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje sivjet tejkalon nivelin prej 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

“Me këtë ndarje, shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje sivjet tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, ose mbi 2% të Bruto Prodhimit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s. Arritja e këtij niveli për herë të parë në historinë e re të ushtrisë sonë tregon se si Qeveri jemi të përkushtuar drejt arritjes së synimit tonë të përbashkët për t’u bërë shtet anëtar në Partneritetin për Paqe, drejt anëtarësimit në NATO”, tha kryeministri Kurti.

Kjo ndarje buxhetore sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, bëhet përmes kursimeve të deklaruara nga organizatat buxhetore në vlerë prej mbi 54,3 milionë euro te projekte të tjera ku kanë dinamikë më të shpejtë.


TRT Balkan / agjencitë